Pesë zëvendësimet bëhen të përhershme në futboll

Përdorimi i pesë zëvendësimeve do të bëhet pjesë e rregullave të lojës së futbollit, kur organi përgjegjës për rregulla, Bordi i Asociacionit Ndërkombëtar të Futbollit (IFAB), të mblidhet të hënën në Doha.

Numri i zëvendësimeve gjatë një ndeshjeje është rritur nga tre në pesë në maj të vitit 2020, për shkak të pandemisë COVID-19. Dhe tani pesë zëvendësimet do të lejohen me vendim që nuk është për kohë të caktuar.

IFAB-i do të diskutojë edhe për zëvendësimet me rastin e tronditjeve dhe po ashtu për teknologjinë gjysmë të automatizuar të ofsajdit.

Premier League e Anglisë ishte liga e vetme e madhe që nuk vazhdoi me pesë zëvendësime dhe lejoi maksimalisht tri zëvendësime për edicionin 2020/2021. Disa klube vlerësuan se rregulli u jepte avantazh të padrejtë skuadrave me më shumë lojtarë në dispozicion dhe nuk u përfshi as për edicionin 2021/2022, pavarësisht se IFAB-i në tetor të vitit 2021 rekomandoi që pesë zëvendësimet të zbatoheshin përgjithmonë në futboll.

Megjithatë, klubet e Premier Leagues u pajtuan që të lejojnë pesë zëvendësime për edicionin 2022/2023, pas një viti të bërë në muajin mars, raporton BBC.

IFAB-i thotë se zëvendësimet mund të bëhen në tri raste gjatë një ndeshjeje, duke mos përfshirë këtu zëvendësimet që bëhen mes dy pjesëve. Zëvendësimi i gjashtë lejohet nëse ndeshja shkon në vazhdime.

Sipas BBC-së, për zëvendësimet për shkak të tronditjes dhe teknologjinë gjysmë të automatizuar për ofsajd, IFAB-i do të ketë vetëm diskutime gjatë takimit në Doha. Pra nuk do të ketë vendim.

IFAB në dhjetor të vitit 2020 miratoi një provë që lejonte vetëm zëvendësime të përhershme për tronditje. Por Shoqata e Futbollistëve Profesionistë ka kërkuar që të bëhen edhe zëvendësime të përkohshme si pjesë e testimeve.

Ndërkohë FIFA ka zhvilluar prova të teknologjisë gjysmë të automatizuar për ofsajd në Kupën e Botës për klube dhe Kupën Arabe. Mund ta përdorë këtë teknologji në Botërorin në Katar në nëntor e dhjetor. Kjo teknologji funksionon duke përdorur dhjetë kamera të posaçme, si dhe disa kamera televizive. Përmes tyre ofrohen deri në 29 të dhëna për çdo lojtar, 50 herë brenda sekondës.

“Ne po vazhdojmë testin për të arritur objektivin – të kemi vendime më të sakta dhe gjithashtu më të shpejta për incidentet e ofsajdit”, ka thënë më herët Pierluigi Collina, drejtues i Komitetit të FIFA-s për gjyqtarët. “Dikush i quajti robotë për ofsajd, por nuk është kështu. Arbitrat dhe ndihmësit janë ende përgjegjës për vendimet në fushën e lojës. Teknologjia vetëm u jep atyre mbështetje të vlefshme për të marrë vendime më të sakta dhe më të shpejta. Sidomos kur situata e ofsajdit është shumë e dyshimtë dhe shumë e vështirë”, ka shtuar Collina.