Prezantim spektakolar i Ronaldos tek Al-Nassr


Cristiano Ronaldo është prezantuar të martën mbrëma te skuadra arabe, Al-Nassr. Prezantimi i superyllit të futbollit ishte spektakolar.

Kishte shumë fishekzjarrë e ovacione për portugezin. Stadiumi “Mrsool Park” ishte i mbushur me 25 mijë shikues.

Thirrjet “Ronaldo, Ronaldo” nuk janë ndalë pasi portugezi doli në fushë duke mbajtur veshur fanellën e verdhë. Emri i Ronaldos është thirrur shpesh gjatë ceremonisë.

Ronaldo është përgjigjur në pyetjet e prezantuesve.

“Është kënaqësi të jem këtu. Prej ditës së djeshme e kam ndjerë ngrohtësinë e të gjithëve. Sigurisht se do të jap më të mirën për ekipin tim. Synimi im është t’i bëjë njerëzit të lumtur, ta shijoj këtë aventurë dhe ta ndihmojë vendin të zhvillohet jo vetëm në futboll. Liga është shumë e fortë dhe synimi im është ta fitojë me ekipin për t’i gëzuar tifozët”, ka thënë Ronaldo para tifozëve.

37-vjeçari më pas ka bërë fotografi me ekipin e të rinjve dhe atë të vajzave të Al-Nassr. Ka firmosur topa dhe i ka hedhur ata në publik, ndërsa njërin ia ka dorëzuar një vajze të vogël.

Ronaldos në fushë i është bashkuar familja, gruaja Georgina dhe katër fëmijët e tij.

Ronaldo falënderoi edhe në emër të familjes për pritjen e ngrohtë në Arabi Saudite. Para se të largohej nga stadiumi, Ronaldo u është drejtuar tifozëve me një fjalë në gjuhën arabe.

Para se të dal në stadium, Ronaldo është paraqitur para gazetarëve. I është përgjigjur disa pyetjeve të prezantueses, ndërsa ka thënë se në Evropë i ka arritur të gjitha dhe se tani synon rekorde në Arabinë Saudite. Para gazetarëve kanë folur edhe presidenti dhe trajneri i Al-Nassr, por nuk ka pasur pyetje nga gazetarët që kishin mbushur sallën.

Më pas Ronaldo ka takuar bashkëlojtarët e rinj në zhveshtore, para të cilëve po ashtu ka mbajtur një fjalim të shkurtër.

Ronaldo të hënën kishte udhëtuar për në Arabi Saudite.

Ai të premten firmosi me Al-Nassr për dy vjet e gjysmë, ndërsa do të përfitojë 200 milionë euro në vit.

Ronaldo muajin e kaluar është ndarë me Manchester Unitedin. Vlerësohet prej lojtarëve më të mëdhenj në histori. Kulmin pos tek Unitedi e ka arritur edhe te Real Madridi.