Prezantohen masat për subvencionimin e energjisë: Këto janë pajisjet dhe kategoritë që do të përkrahen

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka prezantuar masat për subvencionim të efiçienës së energjisë për qytetarët.

Rizvanolli me anë të një konference për medie theksoi se kaldajat me djegie me biomasë, drutë, peleti dhe briketi që do të përkrahet në masë prej 70 për qind.

“Nga sot kemi hapur thirrjen për subvencionim të pajisjeve eficiente për ngrohje për qytetarë në vlerë prej 6 milionë euro. Pajisjet që do të subvencionohen si kaldajat me djegie me biomasë, dru, pelet dhe briket që do të përkrahet në masë prej 70 për qind të vlerës së investimit ose në vlerë prej 1,200 euro”, tha Rizvanolli, përcjell Telegrafi.

Po ashtu, ajo tha se pompat termike, kondicionerët dhe stufat janë disa nga pajisjet që do të përkrahen.

“Pompat termike të cilat ulin shpenzimin deri në 70 për qind, do të subvencionohen në vlerë prej 30 për qind apo në vlerë 2,500 euro, kondicionerët eficientë do të subvencionohen me 40 për qind të vlerës ose deri në 400 euro dhe stufat me biomasë e dru, për familjet që janë pjesë e skemës së asistencës sociale do të përkrahen me 90 për qind deri më 560 euro kurse për të tjerët deri në 435 euro”, shtoi ajo.