Prezantohet projekti për Transformimin e Bulevardit “Xhorxh Bush” në Prishtinë

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, bashkë me drejtorin e urbanizmit, Arbër Sadiki, drejtorin e Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave, Krenar Xhaferi, drejtoreshën e Planifikimit Strategjik, Mimoza Sylejmani dhe drejtoreshën e Hapësirave Publike dhe Parqeve, Donika Çetta, në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka prezantuar Projektin për Transformimin e Bulevardit “Xhorxh Bush” në kryeqytet.

 
Bulevardi i Kryeqytetit, sipas kryetarit Rama, do të shndërrohet në një hapërsirë urbane bashkëkohore e cila reflekton nevojat e qytetarëve, promovon një stil të jetës së shëndetshme, më shumë gjelbërim e ajër të pastër. Duke qenë i tillë, projekti do të jetë një shembull i zhvillimit të qëndrueshëm. Me materiale të qëndrueshme e gjelbërim, sheshi do të mundësojë Prishtinës të merr frymë dhe do të stimulojë njerëzit të marrin pjesë më aktivisht në jetën e qytetit.

 
Njëkohësisht, projekti synon të rivlerësojë trashëgiminë arkitektonike të Prishtinës duke bërë protagonistë të projektit Hotelin Grand, ndërtesën e RTK, Bibliotekën Universitare “Pjetër Bogdani” dhe Katedralen “Nënë Tereza”, ndërtesa të cilat shihen si përbërësit kryesorë të skenografisë urbane në këtë ndërhyrje.

Kryetari Rama, ka thënë gjatë prezantimit se ndërhyrja synon riformulimin e kufirit të një hapësire të sigurt për këmbësorë ku lidhen së bashku zona universitare dhe parku qendror, me Sheshin “Nënë Tereza”, përmes sistemit të ri të që do të realizohen në rrugën “Xhorxh Bush”, prej Katedrales e deri tek Hoteli Grand.  Janë pikërisht këto sheshe, që si zgjatim i Bulevardit, krijojnë një portë hyrjeje për në park në zonën universitare. Bulevardi i Kryeqytetit do të jetë një paradhomë e zonës universitare dhe njëkohësisht holli kryesor i jetës publike të kryeqytetit.

“Sheshi do të jetë përplot jetë dhe ideja është që këto sheshe të jenë të qasshme për të gjitha moshat. Gjithashtu do të ketë hapësirë për artistët që të krijojnë një Prishtinë të transformueshme. Te pjesa e Katedrales, për momentin është e rrethuar me një muri të vogël dhe ne kemi propozuar që të hapet dhe të jetë e qasshme për të gjithë qytetarët, në mënyrë që të mos t’i shohim këto monumente të rrethuara dhe të mos jenë të cenueshme për qytetarët” – ka deklaruar Rama.

Rama tregoi edhe për zgjerimin e këtij sheshi deri te Xhamia e Madhe, ku tha se edhe aty do të ketë një parking nëntokësor.

“Fillimisht e keni parë që te parkingu ka pasur një dalje por është mbyllur dhe tash ideja është që të zgjatet sheshi deri te Xhamia e Madhe, ku edhe aty do të kemi edhe një parking nëntokësor dhe një tjetër te rrethi me flamur, e ku do të shfrytëzohet nga lagjet si “Kalabria”, “Dardania” e “Prishtina e Re”.


Kryetari Rama po ashtu bëri të ditur se projekti do të prezantohet edhe para qytetarëve.  Ndërsa drejtori i Urbanizmit, Arbër Sadiki, tha se ky projekt ka qenë i planifikuar qysh në vitet e 70-ta.