Prishtina fiton ndaj Dritës në Gjilan

Prishtina ka fituar me rezultat 2-1 në udhëtim te Drita në ndeshjen derbi të vlefshme për javën e 12-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Ekipi i Ismet Munishit ka marrë edhe fitoren e dytë radhazi duke treguar ngritje të formës, pasi ka fituar me rikthim në udhëtim te Drita.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte krejtësisht e barabartë me të dyja skuadrat që luanin sigurt, pa rrezikuar mbrapa.

Rastet ishin të pakta nga të dyja ekipet dhe pas 45 minutave, skuadrat shkuan në pushim me rezultat 0-0.

Në pjesën e dytë, ekipet ishin paksa më kërkuese, tentuan më shumë golin dhe pati më shumë aksion.

Drita mbeti në minutën e 60-të pa një lojtarë, pas ndëshkimit me të kuq të Ron Brojës, i cili goditi me bërryl ndaj Leutrim Kryeziut.

Pas këtij kartoni të kuq u mendua se Prishtina do të ketë më të lehtë dhe filloi sulmet e njëpasnjëshme në kërkim të golit, duke rrezikuar dy herë.

Megjithatë, vendasit befasuan të gjithë duke gjetur golin të parët në minutën e 85-të me anë të mbrojtësit Prince Balde, i cili shënoi për 1-0.

Prishtina arriti të kthehet në lojë në minutat shtesë duke shënuar fillimisht me Shefit Shefitin (90+1) për barazimin 1-1, ndërsa Kryeziu (90+4) shënoi nga penalltia golin e fitores 1-2.