Prishtina kërkon fitore ndaj lideres

Te Prishtina janë të vendosur t’ia shkaktojnë skuadrës së Dritës humbjen e parë këtë edicion në Superligën e Kosovës në futboll. Fitoren ndaj Dritës, Prishtina synon ta arrijë në shtëpinë e saj, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Prishtina e pret Dritën të mërkurën mbrëma në ndeshjen e mbetur të xhiros së katërt, e cila luhet prej orës 19:00 dhe me tifozë në tribuna. Kjo ndeshje ishte shtyrë dy herë. Herën e parë është shtyrë pasi në stadiumin “Fadil Vokrri” zhvillohej ndeshja mes Ballkanit dhe Shkupit, ndërsa herën e dytë ishte shtyrë për shkak se luante Përfaqësuesja e futbollisteve.

Drita është ekipi i vetëm në Superligë që deri më tani nuk di për humbje. Skuadra gjilanase ka pesë fitore e dy barazime. Prinë në tabelë me 17 pikë, gjashtë më shumë se Prishtina që renditet e katërta. Sulmuesi i Prishtinës, Kreshnik Uka, ka thënë se ekipi i drejtuar nga Ismet Munishi është maksimalisht i motivuar. Uka shtoi se me përkrahjen e madhe të tifozëve në tribuna, Prishtina mund ta mposhtë Dritën. Megjithatë, Uka pranoi se nuk do të jetë lehtë për shkak se Drita është kundërshtare e fortë.

“Jemi të vetëdijshëm se e kemi përballë një skuadër shumë cilësore, e që mendoj se është ndër ekipet më të kompletuara të Superligës. Andaj, këtij takimi duhet t’i qasemi me kujdes maksimal. Brenda grupit tonë atmosfera është shumë e mirë dhe besoj se do të japim gjithçka nga vetja për fitore”, është shprehur Uka të martën. “Prishtina në secilën ndeshje që e luan në stadiumin e saj futet me synimin për ta fituar. Pra, objektivi është fitorja dhe me ndihmën e ‘Plisave’ si çdo herë shpresojmë se do t’ia arrijmë qëllimit. Do Zoti që t’i gëzojmë me fitore tifozët tanë”.

Edhe trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, pret një ndeshje të madhe ndaj Prishtinës. Ai nuk ka dashur të parashikojë ndonjë rezultat. Nuhiu ka shtuar se pret një paraqitje të mirë të ekipit të tij dhe është bindur se tribunat e stadiumit do të jenë të mbushura me tifozë.

“Është një ndeshje që gjithmonë sjell interesim të madh te tifozët dhe për këtë pres që stadiumi të jetë i mbushur. Kjo është një mundësi e artë për futbollistët tanë që të shprehin vlerat e tyre, por edhe për të parë vlerën e kampionatit që vazhdimisht po rritet. Kundërshtari ka futbollistë cilësorë, por të mos harrojmë që edhe ekipi ynë ka potencial. Motivi është i lartë dhe lojtarët me padurim presin të dalin në fushë për të bërë një ndeshje të madhe”, është shprehur Nuhiu në konferencën për shtyp të martën. “Uroj të bëjmë një ndeshje të madhe dhe t’ia lëmë fushës, sepse futbolli nuk mund të parashikohet. Por, një gjë e di se do të japim maksimumin për të marrë më të mirën nga kjo ndeshje”.

Mesfushori Rron Broja ka thënë se synimi kryesor i Dritës është ta fitojë ndeshjen kundër Prishtinës. Broja pret që numri i tifozëve të Dritës, “Intelektualët”, të jetë i madh në tribuna për ta motivuar ekipin drejt tri pikëve të radhës.

“Shpresoj që numri i tifozëve tanë të jetë i madh për të na përkrahur që të arrijmë synimin kryesor, fitoren”, ka thënë Broja.

Të mërkurën zhvillohet edhe një ndeshje tjetër e mbetur, por e xhiros së parë. Malisheva e pret skuadrën e Ballkanit në stadiumin “Liman Gegaj” prej orës 13:00. Ballkani aktualisht zë vendin e tretë me 12 pikë të mbledhura pas pesë ndeshjeve të zhvilluara, ndërsa Malisheva është e teta me shtatë pikë nga shtatë ndeshje. Te Malisheva do të debutojë trajneri Sami Sermaxhaj, i cili zëvendësoi Arsim Thaqin e shkarkuar.

Në fundjavë nuk ka pasur ndeshje të Superligës për shkak të aktiviteteve të Përfaqësueses. Xhiroja e rregullt, e nënta, zhvillohet fundjavën e ardhshme.