Profili i Talat Xhaferit, kryeministër shqiptar i Maqedonisë së Veriut 

Pak shqiptarë e dinë se ku është fshati Forinë. Por, atë e bëri të njohur politikani Talat Xhaferi që lindi në këtë fshat të Gostivarit më 15 prill 1962.

Shkollën fillore e kreu në Çegran, për të vazhduar shkollimin e mesëm në shkollën e lartë ushtarake në Beograd.

Ai studioi në Akademinë Ushtarake për Këmbësori të Armatës Popullore të Jugosllavisë, prej nga doli si oficer dhe u caktua me detyra komanduese më 1985. Këtë punë e vazhdoi deri më 1991 kur Republika e Maqedonisë u pavarësua na Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë.

Një vit më vonë iu bashkua armatës së Maqedonisë. Por më 2001 ai la detyrën e komandantit të kazermës në Tetovë dhe iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Marrëveshja e Ohrit mbylli luftën në Maqedoni dhe amnistoi shqiptarët që ishin pjesë e UÇK-së. Pas me shumë se dy dekada, Talat Xhaferi zhveshi uniformën, të cilën e zëvendësoi me kollare.

Ai u bë pjesë e BDI-së dhe mori mandatin e deputetit. Më 2013 mori postin e ministrit të mbrojtjes. Maqedonasit, nuk e duronin dot një ish-komandant të UÇK-së të vjen në krye të armatës së këtij shteti.

Pavarësisht protestave kundër emërimit të tij, u zotua se do ta dërgoj mandatin deri në fund.

“Nuk ka forcë që më largon”, tha Xhaferi, kur ishte Minitër i Mbrojtjes, më nëntë mars të vitit 2013.

Ai, hidhëroi edhe më tepër ata, kur si lider ushtrie, vizitoi lapidarin e dëshmorëve të UÇK-së. Por, emri i Xhaferit u bë edhe më i urryer, nga një pjesë e maqedonasve, më 2017, kur u nominua për kryetar të parlamentit të shtetit, në seancën konstituive të kuvendit të ri, më 27 mars.

VMRO nuk e donte atë për shef të Sobranies, dhe tash e një muaj vendi ishte në krizë.

Por, koalicioni i LSDM-së me partitë shqiptare ia doli ta zgjedh Xhaferin kryekuvendar të enjten. Ky veprim ishte dicka që nuk e gëlltitën dot një pjesë e maqedonasve.

Grupe huliganësh hynë në parlament, duke rrahur deputetët. Megjithatë, Xhaferi bëri historinë. Ai u zgjodh kryetari i parë shqiptarë i Kuvendit të Maqedonisë.

Nuk vonoi shumë ai bëri edhe një veprim tjetër historik. E drejtoi seancën paralamentare në gjuhën shqipe.

Kuvendin e Maqedonisë e drejtoi deri në fund të kësaj jave kur dha dorëheqje.

Largimi nga parlamenti, përsëri i bëri vend në histori Talat Xhaferit. Ai të dielën bëhet kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut.