Ministrja në detyrë e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit pritet të nisë komunikimi zyrtar ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive të tjera parlamentare për formimin e institucioneve të reja të Kosovës. Ajo tha se koalicioni fitues do të dalë me qëndrim zyrtar dhe pret që të njëjtën ta bëjnë edhe subjektet e tjera politike.
Kusari-Lila vlerësoi se situata politike është më e ndërlikuar se në proceset e mëparshme zgjedhore, duke thënë se brenda disa partive ekzistojnë qëndrime të ndryshme lidhur me koalicionet e mundshme. Sipas saj, kjo mund ta vështirësojë arritjen e marrëveshjeve dhe konstituimin e institucioneve të reja.
Lidhur me kushtet e vendosura nga partitë për bashkëpunim me Vetëvendosjen, përfshirë çështjen e projektit të gazit amerikan, Kusari-Lila tha se temat strategjike duhet të diskutohen në kuadër të programit qeverisës dhe jo të shfrytëzohen për përplasje politike, pasi ato tejkalojnë mandatet e një qeverie.
E pyetur për emrat që mund të marrin poste në institucionet e reja, ajo tha se është herët për të folur, pasi kjo do të jetë pjesë e negociatave ndërmjet partive. Kusari-Lila kujtoi edhe propozimin e mëhershëm të Vetëvendosjes për Feride Rushitin si presidente, duke kritikuar partitë opozitare se nuk kishin dalë me alternativa konkrete.