Qëndrimi i LDK-së ka krijuar një realitet krejt të ri politik në Kosovë

Analisti politik, Ibrahim Shala, në një intervistë për Ekonomia Online ka vlerësuar se qëndrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK) për të hequr dorë nga bashkëqeverisja me Lëvizjen Vetëvendosje dhe gatishmëria për të votuar një president konsensual ka krijuar një realitet të ri politik në Kosovë.

Sipas tij, ky qëndrim ka ndryshuar atmosferën politike rreth themelimit të institucioneve pas zgjedhjeve, ndërsa ka shtuar se synimi i LDK-së është të krijojë identitetin e saj brenda opozitës dhe të dallohet nga PDK-ja e Aleanca.

“Në momentin kur u mendua se gjërat ranë në bllokadë dhe nuk do të ketë zgjidhje, me zhvillimet që nisen me bërë edhe me aktivizmin e tyre edhe brenda parlamentit Aleanca dhe PDK-ja, që më shumë nuk ishin veprime që ato e rrisnin opozitarizmin e tyre ose aktivizmin e tyre e sidomos para elektoratit të Kosovës, atëherë LDK-ja e mendoi potezin e dytë që është një potez shumë i zgjuar, një veprim shumë i zgjuar i cili e ka trondit këtë skenën politike të ngurtësuar të Kosovës me gatishmërinë e saj për të hequr dorë nga bashkëqeverisja me VV-në, mirëpo se a do të jetë e gatshme për të votuar një president konsensual. Do të thotë kushti i vetëm është që të gjendet një president konsensual”.

“Ky qëndrim ka krijuar një realitet krejt të ri politik në Kosovë dhe një atmosferë tjetër në Kosovë rreth themelimit të institucioneve pas zgjedhjeve parlamentare. Dhe tash pas këtij qëndrimi të Lidhjes Demokratike, sigurisht se partia fituese dhe lideri i saj zoti Kurti është i interesuar që atëherë ky qëndrim të zgjerohet edhe më shumë që të futet në të edhe Partia Demokratike edhe Aleanca. Dhe vërtetë një president i ardhshëm i Kosovës të jetë konsensual dhe mos të jetë partiak, apo një figurë unifikuese dhe e pranueshme për të gjithë. Tash ne i kuptojmë qëndrimet e këtyre dy partive tjera opozitare që bëjnë në parlament edhe para qeverisë, sepse gjithkush don të rrisë presionin e vet edhe të bëjë politikë, mirëpo gjërat janë shkak-pasojë, ata lypin që të themelohet kuvendi dhe të zgjedhet qeveria, ndërsa strategjia dihet se kur të vijmë te hapi i tretë i presidentit ne e bllokojmë zotin Kurti edhe VV-në në zgjedhjen e presidentit dhe kështu shkaktohet përsëri kriza”, tha ai.