Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot një mbledhje elektronike, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar disa projektligje dhe vendime me rëndësi në fushën e energjisë, bujqësisë dhe financave publike.
Në këtë mbledhje, ekzekutivi ka miratuar Projektligjin për Energjinë, që synon avancimin e sektorit energjetik dhe përmirësimin e kornizës ligjore në këtë fushë.
Po ashtu, është miratuar edhe Projektligji për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë, i cili pritet të rrisë kontrollin dhe standardet në sektorët përkatës.
Qeveria ka marrë edhe vendim për ndryshimet në tabelat 3.1 dhe 3.2 të Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2026, me qëllim të përmbushjes së obligimeve financiare dhe kontraktuale të bartura nga viti paraprak.
Gjithashtu, është miratuar vendimi për rregullimin kontabël të shpenzimeve buxhetore të realizuara gjatë periudhës së financimit të përkohshëm për tremujorin e parë të vitit 2026. Ky rregullim synon që këto shpenzime të reflektohen sipas strukturës së re organizative të ministrive, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin e financave publike.
Vendimet e marra pritet të ndikojnë në përmirësimin e menaxhimit financiar dhe forcimin e kapaciteteve institucionale në vend.