Rama i nis letër Këshillit të Evropës për akuzat e Speciales ndaj krerëve të UÇK-së

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se ka firmosur letrën drejtuar shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, kundër akuzave të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Rama shkroi të martën se nëpërmjet kësaj letre po synon “ta heqë njollën e turpit të trafikimit të organeve njerëzore mbi kombin dhe mbi vetë Këshillin e Evropës”.

“Sado e çuditshme të duket kjo, nuk ka fakte, nuk ka autorë, nuk ka viktima të trafikimit të organeve njerëzore. Raporti dhe rezoluta që pasoi nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës u mbështetën më tepër në spekulime sesa në fakte, në thashetheme që qarkullonin në vend të provave. Ato tanimë janë kthyer në një njollosje të pamerituar të atyre që janë akuzuar pa të drejtë dhe në një turp për politikën ndërkombëtare”, thuhet në letrën e Ramës drejtuar Këshillit.