Rangnick pret që Ronaldo ta eliminojë Atleticon

Ralf Rangnick pret që Cristiano Ronaldo të ketë edhe një paraqitje tjetër vendimtare për Manchester Unitedin, që do të përballet me Atletico Madridin në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve. Ragnick beson se Ronaldo do të jetë në gjendje ta ndihmojë Unitedin ta tejkalojë Atleticon, tri ditë pas “hat-trickut” që portugezi e shënoi në fitoren kundër Tottenhamit në Premier League.

Unitedi e pret të martën Atleticon në stadiumin “Old Trafford” prej orës 21:00, pas barazimit 1:1 që e pati muajin e shkuar në Madrid. Tek Unitedi janë të vendosur të kualifikohen në çerekfinale të Championsit, që do të ishte hera e tretë prej vitit 2013.

Ronaldo po shihet si lojtari kryesor për të garantuar kalimin e Unitedit në mesin e tetë skuadrave më të mira të Evropës. Portugezi të shtunën heshti kritikët me tre golat që e mposhtën Tottenhamin me rezultatin 3:2 në kampionat. Golat ndaj Tottenhamit për Ronaldon erdhën pas kritikave dhe raportimeve se portugezi nuk është i lumtur në “Old Trafford” për shkak se kishte shënuar vetëm një gol në dhjetë ndeshjet e fundit. Edhe pse ka vetëm 72 orë për t’u rikuperuar nga lodhja me Tottenhamin, Rangnick është i bindur se Ronaldo do të ketë një paraqitje fantastike për t’ia mundësuar Unitedit kalimin tutje në Champions.

“Realisht nuk jam i shqetësuar me rikuperimin e Ronaldos për shkak se ai është një futbollist që kujdeset shumë për trupin dhe formën e tij. Do të shohim nëse do të mund të shënojë sërish tre gola, ndonëse do të jetë vështirë ndaj një ekipi si Atletico. Megjithatë, unë pres një paraqitje të mirë nga Ronaldo në këtë ndeshje, që do të ketë ndikim në të gjithë ekipin dhe do të na sigurojë fitoren”, është shprehur Rangnick në konferencën për shtyp, të hënën. “Do të bëjmë të pamundurën për të fituar, pasi synimi është që të kalojmë në çerekfinale. Jam optimist për shkak se e kemi Ronaldon dhe ai është një lojtar që mund ta bëjë dallimin në fushë. Dëshmia më e mirë për këtë është ndeshja që e pati ndaj Tottenhamit, ku dëshmoi se lojtar i cilit nivel është. Nuk do të jetë lehtë përballë Atleticos, por ne jemi optimist dhe jemi përgatitur për ta kaluar këtë pengesë”.

Unitedit për duelin me Atleticon i kthehet mesfushori Bruno Fernandes, i cili mungoi ndaj Tottenhamit për shkak se ishte i infektuar me koronavirus. Fernandes ka rezultuar negativ dhe ka stërvitur me ekipin të hënën, sikurse edhe Scott McTominay e Luke Shaw që janë rikthyer nga lëndimet.

“Gjëja më e mirë është se i kemi të gjithë futbollistët në dispozicion dhe kjo na jep shpresë për një paraqitje të mirë me Ronaldon në krye të ekipit”, shtoi Rangnick.

Në fakt paraqitja e Ronaldos ndaj Tottenhamit u ka dhënë shpresa të mëdha edhe tifozëve të Unitedit që po besojnë se mund ta eliminojnë kampionin në fuqi të Spanjës. “Hat-tricku” ndaj Tottenhamit, që ishte i 59-i në karrierë për Ronaldon, ishte vetëm i dyti me fanellën e Unitedit.

Ronaldo është njëri prej lojtarëve që ka eliminuar shpesh Atleticon. Prej vitit 2014 deri në vitin 2019, Ronaldo ishte në ekipin kundërshtar të Atleticos, i cili e ka eliminuar pesë herë ekipin nga La Liga në fazën e nokautit të Championsit. Ndërsa në dy raste Ronaldo i ka dhënë goditjen e fundit ekipit të Diego Simeones në finalen e kësaj gare. Në total Ronaldo i ka shënuar 25 gola ndaj Atleticos dhe “hat-tricku” ndaj Tottenhamit mund të konsiderohet si paralajmërim për skuadrën spanjolle.

“Nuk është vetëm Ronaldo pasi të gjithë lojtarët e Manchester Unitedit paraqesin rrezik për portën tonë. Kështu që duhet të tregohemi maksimalisht të kujdesshëm. Kjo ndeshje dallon shumë prej asaj që u luajt në Madrid dhe do të përqendrohemi në kundërsulme për ta goditur kundërshtarin”, është shprehur trajneri i Atleticos, Diego Simeone. “Në këtë ndeshje çdo rezultat është i mundur, ndonëse synimi ynë është i qartë – të fitojmë dhe të vazhdojmë në Champions. Jam optimist, por do të shohim se si do të shkojnë gjërat në fushë për shkak se Unitedi me siguri se do të sulmojë prej fillimit të ndeshjes, me tentimin për të shënuar i pari. Besoj se edhe për këtë jemi gati”.

Të martën zhvillohet edhe ndeshja tjetër në kuadër të kësaj faze të Ligës së Kampionëve. Skuadra e Ajaxit e pret në shtëpi Benfican. Dueli i parë mes këtyre dy ekipeve, i luajtur në Portugali, ka përfunduar me rezultatin 2:2.

“Kemi synime të mëdha, duam të kualifikohemi tutje dhe duhet patjetër ta fitojmë këtë ndeshje. Luajmë në shtëpi dhe mund të bëjmë gjëra të mëdha”, tha trajneri i Ajaxit, Erik ten Hag, i cili në vitin 2019 e udhëhoqi ekipin holandez deri në gjysmëfinale të Championsit. “Nëse e kalojmë këtë pengesë gjithçka është e mundur”.

E martë (21:00)

Man. United – Atl. Madrid

Ajax – Benfica