Reagime për vrasjen e gruas në Pejë, situata cilësohet alarmante

Përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe partiake kanë reaguar për vrasjen e një gruaje në Pejë që ndodhi të martën e edhe për vrasjen e së premtes në Ferizaj, duke e konsideruar situatën alarmante.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se dënimi maksimal është minimumi për vrasësit pasi ata “po e konsiderojnë të drejtë absolute vrasjen e grave”.

Sipas Kusarit, dhuna ndaj grave po shpërfaqet brutalisht çdo ditë.

“Viktima e dytë e femicidit në Kosovë brenda pak ditëve, nga Ferizaji në Pejë. Viktima e sotme prapë e vrarë nga bashkëshorti në shtëpinë e saj. Kjo është alarmante dhe tregon për çrregullim të rëndë social dhe një rrugë tranzicioni pa mekanizma sigurues në shoqërinë tonë në rrugëtimin drejt barazisë. Numër alarmant i burrave në shoqëri po e konsiderojnë të drejtën absolute deri në vrasje, ndaj gruas dhe kjo kërkon trajtim serioz në të gjitha nivelet. Denimi maksimal është minimumi për vrasësit, ndërsa trajtimi i normave shoqërore në thelbin e tyre duhet rishikuar dhe ridefinuar. Nuk mund të humbim vajzat dhe gratë ndaj dhunës së pakontrollë që po shpërfaqet brutalisht çdo ditë e më shumë”, ka shkruar në Facebook deputetja e partisë në pushtet.

Alarmante e ka konsideruar situatën edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku.

Edhe një grua u vra sot në Pejë. Nga bashkëshorti. Situata është alarmante. S’po mundem me gjetë as fjalë”, ka shkruar ajo në Facebook.