Rrepa pikante, antibiotiku i pastër natyral

Rrika e bardhë apo rrepa pikante është një bimë shumë popullore që është përdorur që në lashtësi, jo vetëm për gatim por edhe në mjekësi në shumë zona të Lindjes dhe Perëndimit. Kjo bimë me përmasa mesatare është pjesë e familjes botanike Brassicaceae që përfshin edhe brokolin dhe lakrën. Në shumë vende perëndimore, rrika e bardhë është përdorur edhe si erëz edhe si barishte.

Rrika e bardhë kultivohet edhe në Shqipëri dhe Kosovë dhe atë mund ta gjeni në shumë prej tregjeve të produkteve të freskëta.

Ndonëse pothuaj e gjithë bima e rrikës së bardhë është e ngrënshme, rrënjët e saj janë pjesa më e përdorur, kryesisht falë sasisë së lartë të vajit të mustardës që gjendet në këtë pjesë e që i jep bimës shijen dhe aromën e fortë pikante.

Në mitologjinë Greke, rrika e bardhë konsiderohej si një dhuratë e veçantë. Thuhet që Orakulli i Delfit e kishte shpallur rrikën e bardhë si bimë me po aq vlerë sa vetë floriri.

Në Mesjetë, përdorimi i rrikës së bardhë kaloi nga kuzhina në mjekësi, ndërkohë që, vetëm disa zona të përzgjedhura të Evropës nuk hoqën dorë nga përdorimi i saj si erëz ose barishte.

Në të gjitha formulat që përmbajnë rrikën e bardhë në variantin e paketuar, prodhuesit përdorin një stabilizues artificial që të ruajë aromën e erëzës por kjo nuk ka të krahasuar me rrikën e freskët.

Përdorimet e rrikës së bardhë

Rrika e bardhë mund të kombinohet me çdo lloj mishi, ose pjatë me bazë mishi. Mjafton të prisni ose të grini rrënjën e bimës dhe ta përdorni edhe në supa, gatime të pjekura ose në zgarë.

Duke qenë se rrika e bardhë përmban antibakterialë të shumtë, ushqimet që përmbajnë rrikën e bardhë qëndrojnë të freskët për shumë kohë. Substancat që luftojnë mikrobet, që gjenden tek rrika e bardhë luftojnë bakteret si Ecoli, Listeria dhe stafilokoku.

Në fushën e mjekësisë, Grekët e lashtë e përdornin rrikën e bardhë për të çliruar dhimbjet muskulare dhe për të ulur ënjtjet, si edhe i përdornin rrënjët e saj në ushqime me vlera afrodiziake.

Një studim i kryer nga një ekip shkencëtarësh Gjermanë në vitin 2006, arriti në konkluzionin se rrika e bardhë mund të përdorej me sukses në trajtimin e sinozitit, bronshitit dhe infeksioneve urinare dhe jep të gjitha përfitimet e listuara më lart në formën e çajit sipas metodës së mëposhtme.

Çaji i Rrikës së Bardhë

Përbërësit për 3 filxhanë:

– 10 gramë rrepë pikante e freskët

– 5 gramë xhenxhefil të freskët

– 200 ml ujë të vluar

Hidhni rrikën e bardhë, pra rrepën pikante dhe xhenxhefilin në një filxhan dhe përziejini me ujin e vluar. Lërini të qëndrojnë së bashku për të paktën 20 minuta. Këtë lëng mund ta pini për tre herë në ditë, të ngrohur në një temperaturë mbi 40 gradë celsius. /agroweb/