Shqipëria u kërkon shtetasve shqiptarë të largohen nga Ukraina

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë u ka bërë thirrje shtetasve shqiptarë që të largohen nga Ukraina sa më parë.  Në njoftim të shtunën, ,inistria ka këshilluar po ashtu të mos udhëtohet drejt Ukrainës ku ekziston rreziku për luftë. Ndërkohë, nuk janë dhënë detaje se sa është numri i shtetasve shqiptarë në Ukrainë.

Deri më tani vendet si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermani, Estonia, Norvegjia e Holanda, u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre të largohen nga Ukraina.

Në rajonin e Ballkanit, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut u kanë bërë thirrje qytetarëve të vet që përkohësisht të lëshojnë Ukrainën po ashtu.

Autoritetet e Kosovës deri më tani nuk kanë bërë ndonjë thirrje të tillë.

Më herët, të shtunën, u bë e ditur se Shtetet e Bashkuara do të evakuojnë Ambasadën e tyre në Kiev pasi zyrtarët e inteligjencës amerikane paralajmërojnë se një pushtim rus i Ukrainës është gjithnjë e më i afërt.

Masa e re vjen pasi Washingtoni ka përshkallëzuar paralajmërimet për një pushtim të mundshëm rus të Ukrainës, duke thënë se mund të ndodhë në çdo moment.