Si i kaloi 10 ditë vetmi në burgun e Lipjanit, rrëfehet Ikballe Huduti?

Ikballe Huduti-Berisha, gruaja që u arrestua pas postimeve të saja kundër vrasjes së gjeneralit iranian, Qaseem Soleimani ka folur për trajtimin e saj në qendrën e paraburgimit, e më pas edhe në Burgun e Lipjanit.

Huduti-Berisha ka thënë se trajtimi që është bërë ndaj saj ka qenë çnjerëzor, dhe se është lënë pa ushqim e pa ujë.

“Para se të shkojë në paraburgim unë kam qenë në arrestim 48 orësh në stacionin policor në Prishtinë. Është më se e ditur se aty nuk ka kushte të mira si në hotel, por nuk kam pas ndonjë vërejtje çdo gjë ka qenë në rregull. Zyrtarët e Drejtorisë për Krime Terroriste që mua më sollën nga shtëpia në qeli dhe pastaj më nxorën pas dy dite, ata aspak nuk i kishin punët e koordinuara. Hetuesit në mëngjes herët erdhën që të më marrin me nxitim për të vajtur në Pallatin e Drejtësisë. Unë nga kjo qeli e burgut ashtu e trazuar shkova në gjykatë në mbrojtje të një çështje jetësore timen dhe isha personi kryesor për të cilin ishte bërë gjithë ai takim ( seancë dëgjimore), ndërsa unë nuk kisha fuqi të rrija në këmbë dhe të mbroja veten”, ka thënë ajo për Lajmi.net.

Tutje, ajo ka rrëfyer edhe për trajtimin që ajo thotë se i është bërë në seancën dëgjimore të mbajtur ndaj saj.

“Kjo ishte për arsye se unë as edhe një pik uji se kisha pirë e mos të flasim për ndonjë çaj apo kafshatë buke. Prandaj unë nuk hezitova u ankova avokatit tim dhe pastaj ai urdhëroi së paku një kafe të ma binin në sallën e gjykatës që të merrja pak fuqi për t’u shprehur para trupit gjykues. Seanca mbaroi, ishte hera e parë në jetë që kisha një situatë të këtillë para gjykatësve, avokatëve e prokurorëve dhe kur mbaroi seanca ishte bërë ora gati 12:00 prapë u desh të kërkojë e të më japin një sandviç të ftohtë të cilin s’kisha të drejtë ta haja në bife por në të njëjtën sallë që prapë nuk ishte një pamje e hijshme por sidoqoftë më në fund morra pak forcë. Kjo për mua ishte tmerr sepse dy netë rresht s’kisha pirë as edhe një qaj të ngrohtë, plus edhe isha e uritur, sidoqoftë kaloi, por shpresoj që të burgosurve tjerë të mos i ndodh kjo që më ka ndodhë mua, sepse të dalësh në mbrojte të vetes për një çështje jetësore e të jesh e uritur, e etur me buzë të shkrumbuara kjo nuk ishte aspak njerëzore”, ka thënë Huduti – Berisha.

“Para se të arrijë në burg mu bë një e padrejtë, sepse gazetarët si zakonisht prisnin të dilja nga dyert kryesore dhe unë e doja këtë që së paku të bëja një foto shumë domethënëse me një mesazh vetëdijësues. Personat përgjegjës hetuesit që nuk vozisin veturë policie por një BMW pa simbole, më thanë se do të ndalen së paku për një foto para gazetarëve, por edhe kësaj here më përgënjeshtruan, sepse mua më nxorën nga podrumi i pallatit dhe dera e daljes nuk kishte asnjë gazetarë dhe kështu pra më dërguan në Qendrën Korrektuese të Femrave në Lipjan pa u takuar as me bashkëshortin dhe birin tim të cilët kishte pritur para dyerve te Pallatit Drejtësisë së bashku me gazetarët.”, ka vazhduar rrëfimin për lajmi.net, Huduti-Berisha.

Ajo tutje ka rrëfyer edhe për netët e kaluara në Burgun e Lipjanit dhe grevën e urisë në të cilën planifikonte të hynte.

Thotë se në asnjërën prej netëve, ajo s’ka mundur të flejë për shkak të kushteve që ishin në këtë burg.

“Në Burgun e Lipjanit apo si i thonë QKF në Lipjan për të cilin emërtim gjithashtu jam ndjerë e ofenduar si grua dhe si qytetare e Kosovës. Në fillim u prita shumë mirë, ngase treguan një respekt të veçantë me siguri se më njihnin edhe si shkrimtare pro edhe si figurë fetare. Në fillim kisha shumë vështirësi sidomos për higjienë, ujë të ngrohtë, gjërat më themelore, pjatë, gotë plastike, fletore e laps…histori e gjatë, do të mund të lexoni në romanin tim në të ardhmen e shpejt. Pas pesë netëve u dënova me vetmi, sepse unë kërkova ndihmë, kërkova mjek, ndërsa rojet që i thonë oficere ato më raportuan se kisha prishur rendin. Arsyeja ishte sepse unë isha lodhur nga pagjumësia sepse në repartin tonë kishim një të sëmurë psikike, dhe ajo ditën flinte sepse i jepnin qetësues, ndërsa natën vetëm bërtiste gjersa lodhej. Në natën e pestë unë ashtu e mbështetur në mur as e fjetur as e zgjuar kisha ëndërruar shumë skena trishtuese dhe të njëjtin zë por në shumës, dhe kur i hapa sytë në moment u ngrita dhe i mëshova derës së hekurt dhe kërkova “ O më sillni edhe mua bre një mjek e psikiatër se u sëmurëm të gjitha”, sepse edhe shoqet e tjera të gjitha ankoheshin por ato nuk kishin guximin të bërtisnin. Kështu që veten e ndjeja jo si në burg të ftohtë por si në spital psikiatrik. Rojet as që e morën seriozisht revoltën dhe kërkesën time për ndihmë. E keqja ishte se në dhomën time s’kisha edhe dritë, kërkova së paku të më lëshonin dritën që të mund të qetësohesha me lexim Kurani. Në fund më lëshuan dritën pas gjithë atij përgjërimi që bëra. Të nesërmen mua më ndëshkuan me vetmi për 10 ditë rresht, sepse rojet kishin raportuar se unë e kam prishur rendin e qetësinë, e kjo ishte shumë e pavërtetë, unë kërkova ndihmë ata më dhanë vetminë”, ka thënë Huduti-Berisha.

“Për shkak kësaj padrejtësie që më bënë, unë doja të bëjë grevë urie, por e dija veten se kam problem me tensionin e gjakut dhe me zemër, e nuk doja të sëmurem ngase mezi prisja ditën e gjykimit, prandaj i bojkotova ushqimin e tyre, nuk ia morra asnjë shujtë dhe vendosa të agjërojë, jo se kisha nevojë, por njeriu kur është uritur edhe bukë e vegetë e ujë i duket e shijshme. Prandaj unë fetën e bukur së mëngjesit e haja për iftare dhe fetën e bukës së darkës e haja për syfyr prapë bukë, vegetë e ujë shtatë ditë rresht. Kështu që unë të gjithëve aty ja bëra me dije se nuk ja dua bukën tuaj edhe pse për këtë bukë tatim kam paguar si dhe iu tregova se buka ime emrin e ka Drejtësi. Burri im ishte i njoftuar për gjendjen time dhe padrejtësitë që mi bënin, prandaj ai e kishte paraqitur rastin tim tek OMBUS PERSON – Avokati i Popullit, e pastaj doktoresha nga Këshilli i Torturave Njerëzore e kuptoj gjendjen time dhe më këshilloi se duhet të stopoj me bojkotim të ushqimit sepse më priste një situatë më e rëndësishme pra në gjykatë”, ka rrëfyer Ikballe Berisha-Huduti.