Sot është afati i fundit kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa ende nuk është bërë e ditur se kur do të vazhdojë seanca e nisur të enjten për konstituimin e legjislaturës së 11-të.
Seanca e Kuvendit u ndërpre me kërkesë të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili kërkoi kohë shtesë për diskutime me përfaqësuesit e partive politike, me synimin për të arritur një marrëveshje për çështjen e zgjedhjes së presidentit, transmeton Klankosova.tv.
Kjo kërkesë u kundërshtua nga deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa kryesuesi i seancës, Avni Dehari nga Vetëvendosje, vendosi të ndërpresë punimet.
Para ndërprerjes, Kuvendi arriti të përfundojë dy pikat e para të rendit të ditës: formimin e Komisionit për Verifikimin e Mandateve të deputetëve dhe betimin e deputetëve të rinj.
Pas konstatimit se mandatet e deputetëve ishin në përputhje me ligjin, të zgjedhurit dhanë betimin. Betimin e dhanë edhe deputetët e Listës Serbe, subjekt i cili mbështetet nga Beogradi zyrtar.
Mbetet e paqartë nëse Kuvendi do të arrijë të përfundojë procesin e konstituimit brenda afatit kushtetues, në të kundërtën vendi mund të përballet me pasoja të tjera politike.