Specialistët e papunë të Stomatologjisë protestojnë para MSH-së

Specialistët e papunë të Stomatologjisë janë duke protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë.

Ata kishin paralajmëruar të martën se protesta vjen “si pasojë e mospërfshirjes në punësimin që e ka proklamuar ministri Zemaj”.

Ministri Armend Zemaj ditë më parë njoftoi se “të gjithë specialistët do të punësohen në sistemin publik shëndetësor”.

Protestuesit në fillim të protestës deshën ta vendosin mbishkrimin “Diskriminim”, por roja ua ka larguar menjëherë ato.

Mirjeta Berisha Dobraj, specialiste e stomatologjisë, u shpreh se asnjë ministër i Shëndetësisë në mandatin e tyre nuk i ka sistemuar.

“Kemi protestuar sa herë dhe asnjë ministër nuk na ka sistemuar. Jemi specialist dhe në asnjë konkurs nuk jemi përfshirë. Specialistët tanë nuk kanë vend askund. Ne kemi bëra kërkesë për takim me ministrin Zemaj por asnjëherë nuk na është mundësuar takimi. Qëllimi i yni është të diskutojmë gjatë se pse po na bëhet ky diskriminim. Jemi shumë specialistë por për shkak të pandemisë kemi dalë me pak. Ka më shumë se dhjetë vite që nuk ka pasur konkurs pra duhet të bëhet diçka”, u shpreh ajo.

Afërdita Canolli, ndërkaq shtoi se “është proklamuar që askush nuk do të mbes pa punë”.