Sulmi i frikshëm i Strasbourgut ka marrë vëmendjen në ligën franceze

Teksa skuadra e Paris Saint-Germainit po pret që treshja e sulmit e përbërë nga Lionel Messi, Neymar dhe Kylian Mbappe të arrijë potencialin e plotë, një tjetër kombinim po merr vëmendjen në ligën franceze.

Ludovic Ajorque, Habib Diallo dhe Kevin Gameiro nuk janë emra botërorë, por së bashku me mesfushorin Adrien Thomasson – që ka një efikasitet prej shtatë golave e katër asistimeve – kanë bërë që Strasbourgu të jetë një nga skuadrat më të fuqishme në Evropë këtë edicion.

Kuarteti i Strasbourgut ka 31 gola nga 41 sa skuadra i ka shënuar gjithsej në 21 ndeshje. Vetëm PSG-ja ka shënuar më shumë gola, 42.

Ky vrull sulmues ka sjellë edhe ndryshime në tabelë, me Strasbourgun që renditet i katërti pas fitores 2:0 ndaj Clermontit ditë më parë. Është kjo pozita më e mirë e klubit në Ligue 1 në këtë fazë që nga viti 1997. Përpara një udhëtimi që e pret të dielën te Bordeauxi, skuadra e trajnerit Julien Stephan është vetëm dy pikë prapa Marseillet, me kualifikimin për në kupat evropiane që është në horizont. Marseille luan në Lens këtë fundjavë me Nicen e vendit të dytë që udhëton drejt Metzit. Lideri i shkëputur, PSG, e pret në shtëpi skuadrën e Reimsit.

“Të jesh i katërti në tabelë nuk ndryshon shumë, por vërteton punën e palodhur të lojtarëve”, tha trajneri Stephan. “Mbi të gjitha në vitin 2022 kemi tri fitore dhe kjo është jashtëzakonisht premtuese deri në fund të edicionit. Megjithatë ne mbetemi shumë të përulur”.

Strasbourgu ka 15 gola të shënuar në gjashtë ndeshjet e fundit, ndërsa ka pësuar vetëm pesë. Trajneri Stephan vlerësohet gjerësisht për efikasitetin e skuadrës falë taktikës së tij të lojës. Në detyrën e tij të mëparshme si trajner Stephan siguroi trofeun e parë për skuadrën e Rennesit pas 48 vjetësh dhe udhëhoqi klubin në Ligën e Kampionëve. Ai praktikon një lojë me pasime të shpeshta që është tejet sulmuese dhe vrastare për kundërshtarin.

“Që nga fillimi ne kemi punuar shumë në qarqe të ndryshme pasimesh, me shumë kombinime në mesfushë dhe shpesh luajmë shumë me harkime. Kjo taktikë po del të jetë efikase për sulmin tonë”, tha sulmuesi Gameiro. “Në këtë mënyrë ne jemi të paparashikueshëm për kundërshtarët tanë. Jemi tre sulmues plus një mesfushor që mund të shënojmë gola në çdo moment, sapo të na jepet rasti. Shpresoj të vazhdojmë me këtë efikasitet deri në fund dhe të sigurojmë një vend në Champions për edicionin tjetër”.

Trajneri Stephan është i veçantë. Ai dëshiron të luajë me sistemin 3-5-2, i cili rrallë i lejon sulmuesit Ajorque, Diallo, i cili aktualisht është në Kupën e Afrikës me Senegalin, dhe Gameiro të startojnë së bashku për Strasbourgun, kampionin e ligës franceze të vitit 1979.

Gameiro është sulmuesi më me përvojë. Gameiro ka 13 paraqitje me Përfaqësuesen e Francës, por të paktë ishin ata që prisnin që kthimi i tij në Strasbourg pas tetë vjetësh në Spanjë do të ishte kaq pjellor. 34-vjeçari në Spanjë ka luajtur te Sevilla, Atletico Madridi e Valencia. Si futbollist Gameiro është rritur te Strasbourgu, por u largua në vitin 2008 për ta vazhduar karrierën te Lorienti e PSG-ja, përpara se të zhvendosej në Spanjë.

Diallo, 26-vjeçar, i cili u transferua nga Metzi në tetor të vitit 2020, ka lulëzuar në një rol të pastër si qendërsulmues. Me tetë gola në 993 minuta të luajtura, Diallo ka qenë model i efikasitetit në kampionat. Ndërsa Ajorque, 27-vjeçar, me fizikun e tij të fuqishëm është një kërcënim i vazhdueshëm nga të gjitha pozitat.

“Ajo që ka rëndësi për mua është krijimi i rasteve”, tha Stephan. “Për sa kohë që ne do të vazhdojmë të krijojmë shumë do të jetë një shenjë e mirë. E them këtë ,sepse sa më shumë raste aq më shumë gola mund të premtojnë sulmuesit tanë”.