Sulmi ndaj serbit, 30 ditë paraburgim për policin e dyshuar – tre të tjerët në arrest shtëpiak

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka vendosur në lidhje me kërkesën e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër policëve të arrestuar më 11 prill 2023, lidhur me plagosjen e një qytetari serb në veri të Kosovës.

Vendimi është marrë të enjten nga gjyqtari i procedurës paraprake i kësaj gjykate, ku ndaj të akuzuarit K.P. është caktuar masa e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, pasi i njëjti dyshohet për veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “manipulimi me prova”.

Kurse, ndaj tre të dyshuarve të tjerë për veprën penale “moslajmërim i veprës penale”, S.U., F.M. dhe M.M. është caktuar masa e arrestit shtëpiak në afat prej 30 ditësh.

Ndryshe, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) më 11 prill 2023 ka njoftuar se janë arrestuar katër zyrtarët policorë që dyshohet se janë përfshirë në plagosjen e një serbi në veri të Kosovës të hënën.

Njëri nga zyrtarët policor dyshohet se ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë” dhe manipulim me prova, ndërsa tre policët e tjerë, po ashtu, dyshohen se kanë kryer veprën penale “moslajmërim i veprës penale”./betimipërdrejtësi/