Tahiri: Ka kryer shkelje, presidentja Osmani mund të shkojë në shtëpi

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri tha se janë duke e analizuar vendimin e presidentes Vjosa Osmani për mosdekretimin e Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Ai tha se opozita nuk do të ketë betejë politike por betejë Kushtetuese me Osmanin. “Ajo veç se e ka humbur”, tha Tahiri.

“Edhe këtu presidentja tregoi që s’është e paanshme. Nuk është për presidenten që të bëjë politikë me opozitën. Presidentja po na kërkon betejë politike, por ne do t’i japim betejë Kushtetuese”, tha ai.

Tahiri tha se për vendimin e Osmanit po i analizojnë “shkeljet”. Sipas tij, presidentja ka bërë shkelje serioze të cilat “mund ta qojnë në shtëpi”.

“Ne e kemi theksuar që na duhet një kohë e që ta bëjmë një analizë që ku tregohet se a ka shkaktuar shkelje presidentja. Tashmë e dimë që ajo ka bërë dy shkelje serioze duke mosdekretuar për 18 muaj kryeprokurorin e shtetit dhe e dyta mos dekretimi i kryeprokurorit. Draftin do ta kemi gati nesër sa i përket kësaj çështje dhe do ta shpërndajmë. Nuk jemi për me i pri bajrakut sa i përket kësaj çështje”, tha ai.