Një punëtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka humbur jetën pas një aksidenti në vendin e punës, ku dyshohet se ka rënë në kontakt me tensionin elektrik.
KEK-u ka njoftuar se punëtori, Arbenit Ahmeti, është aksidentuar gjatë kryerjes së detyrave të punës, në kohën kur ishte i angazhuar në transportin dhe zhvendosjen e kabllove 6 kV.
“Sipas informatave fillestare, gjatë angazhimit në transportin dhe zhvendosjen e kabllove 6 kV, ai ka rënë në kontakt me tensionin elektrik dhe ka pësuar lëndime të rënda”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Pas aksidentit, punëtori është dërguar për trajtim mjekësor në Ambulancën e Obiliqit. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, ai nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve.
KEK-u ka shprehur ngushëllime për familjen Ahmeti, të afërmit, kolegët dhe të gjithë ata që e kanë njohur të ndjerin.
Organet kompetente janë duke e trajtuar rastin, ndërsa rrethanat e aksidentit pritet të sqarohen përmes procedurave përkatëse.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për Arbenitin”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.