Tre të plagosur në Gjakovë, i dyshuari në arrati

Të paktën tre persona kanë mbetur të plagosur nga arma e zjarrit në orët e para të së dielës në Gjakovë.

Zëdhënësi i Policisë, Sheremet Elezaj, ka thënë për KOHËN se të plagosurit janë dërguar për trajtim mjekësor dhe gjendja e tyre është stabile.

Të shtënat me armë zjarri kanë ndodhur brenda një lokali rreth orës 00:10.

“Sot rreth orës 00:10 kemi pranuar informatë për të shtëna me armë zjarri në një lokal në rrugën ‘Fan Stilian Noli’ në Gjakovë, ku për pasojë tre persona kanë marrë plagë, të cilat dyshohet të jenë shkaktuar nga armë zjarri. Policia menjëherë ju ka përgjigjur rastit dhe viktimave ju është ofruar trajtim mjekësor, nga informatat e para të pranuara, gjendja e tyre shëndetësore është stabile”, ka thënë Elezaj.

Ai ka shtuar se janë duke kryer procedurat e nevojshme hetimore për zbardhjen e rastit dhe kapjen e të dyshuarit.

Më tej është bërë e ditur se në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast “vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi , kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.