Urdhri i Presidentit Biden, Çitaku tregon pse nuk është përfshirë marrëveshja e Marti Ahtisaarit

Ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku ka komentuar rreth urdhrit ekzekutiv të presidentit amerikan, Joe Biden për ndalim hyrjen e zyrtarëve që nuk respektojnë marrëveshjet ose kërcënojnë sigurinë, duke thënë se ky urdhër ekziston nga viti 2001 dhe presidenti Biden vetëm e ka ripërtërirë.

Çitaku në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se sipas saj arsyeja pse nuk është shtuar marrëveshja e presidentit Ahtisaari është se formulim i tillë do t’ua pamundësonte të gjithë zyrtarëve Serb hyrjen në SHBA.

Urdhri, i publikuar më 8 qershor nga Shtëpia e Bardhë përmend ish-Republikën Jugosllave dhe Shqipërinë.

Postimi i plotë: 

Diçka për urdhrin ekzekutiv të Presidentit Biden.

Ky urdhër është në fuqi që nga viti 2001 (është amandamentuar ndërkohë) Dmth, urdhri si i tillë është nënshkruar nga ish Presidenti Bush.

Presidenti Biden vetëm e ka ripërtërirë atë, duke i shtuar marrëveshjen e Prespas dhe duke përfshirë edhe Shqipërinë (ndonëse urdhri i adresohet Ballkanit Perëndimor, ai i vitit 2001 nuk e përmend Shqipërinë në mënyrë eksplicite)

Arsyeja pse nuk është shtuar marrëveshja e Presidentit Ahtisari (interpretim i imi ky) është se një formulim i tillë do t’ua pamundësonte të gjithë zyrtarëve serb hyrjen në SHBA.