Ursula von der Leyen mirëpret marrëveshjen për targat, thotë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka mirëpritur marrëveshjen për targat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryetarja e KE-së në një postim në Twitter marrëveshjen e arritur e ka quajtur zhvillim shumë pozitiv, ndërkaq thotë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë.

“Mirëpres marrëveshjen e arritur sot në Bruksel midis Serbisë dhe Kosovës. Ky është një zhvillim shumë pozitiv pas takimeve të mia me Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Kjo është mirë për tërë rajonin. Dialogu tani duhet të vazhdojë”, shkruan ajo.

Ndryshe, i dërguar i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka konfirmuar se është arritur një marrëveshje për targa mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak në një postim në Twitter shkruan se pas dy ditëve të negociatave intensive është arritur një marrëveshje për deeskalim të situatës, ndërsa ka falënderuar Bislimin dhe përfaqësuesin e Serbisë për gatishmërinë për të negociuar.