Vaji i ullirit lidhet me vdekshmërinë më të ulët

Në një studim të ri të botuar në revistën “Nutrition Epidemiology”, shkencëtarët kanë gjetur një lidhje të fortë midis konsumit të vajit të ullirit dhe rrezikut më të ulët të vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare, kanceri dhe shkaqet tjera, shkruan portali “Life”.

Fakti që vaji i ullirit është më i shëndetshëm se shumica e vajrave dhe yndyrave të tjera, nuk është lajm. Disa nga përfitimet e supozuara të vajit të ullirit mbështeten nga prova bindëse shkencore. Megjithatë, nëse konsumimi i vajit të ullirit ndikon në vdekshmëri është duke u hetuar, me të dhëna që vijnë nga studimet që mund të ndryshojnë në metodologji dhe besueshmëri. Po ashtu, këto studime kryhen kryesisht në vendet ku konsumimi i vajit të ullirit është pjesë integrale e një diete.

Studimi i fundit u bë në Spanjë, ku konsumi i vajit të ullirit është me të vërtetë një pjesë e dietës mbizotëruese mesdhetare. Megjithatë, janë disa pika të forta që e bëjnë këtë studim të vlefshëm, duke përfshirë periudhën relativisht të gjatë të hulumtimit prej 18 vjetësh. Studiuesit gjithashtu bënë një punë të mirë duke e ndarë konsumin e vajit të ullirit nga elementët e tjerë të dietës mesdhetare.

Studimi përfshiu 1,567 pjesëmarrës të rritur, me një moshë mesatare prej 45 vjeç. Shprehitë e tyre dietale u vlerësuan në fillim nëpërmjet një pyetësori dhe secilit pjesëmarrës iu caktua një pikë nga 0 në 7 që përcakton respektimin e tyre ndaj dietës mesdhetare. Rezultati llogaritet për nëntë komponentë: fruta (përfshirë farat dhe arrat), perimet, peshkun, bishtajore, vaj ulliri dhe drithëra, mish, bulmet dhe alkool. Studiuesit kontrolluan gjithashtu moshën, gjininë, nivelin arsimor, indeksin e masës trupore (BMI), konsumin e duhanit, orët totale të shikimit të TV-së në ditë dhe praninë e problemeve kronike para-ekzistuese si diabeti dhe hipertensioni.

Gjatë periudhës së hulumtimeve u regjistruan 317 vdekje, përfshirë 115 si pasojë e sëmundjeve kardiovaskulare dhe 82 për shkak të kancerit. Krahasuar me nivelin bazë të konsumimit të vajit të ullirit më pak se një herë në muaj, konsumi deri në një lugë gjelle në ditë u shoqërua me një rrezik 9 për qind më të ulët të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet. Megjithatë, konsumimi i dy ose më shumë lugëve lidhej me një reduktim shumë më të madh të rrezikut të vdekjes.

Pra, në përgjithësi ky studim tregon një lidhje të fortë midis konsumit të vajit të ullirit dhe vdekshmërisë nga shkaqe të ndryshme. Nuk vërteton drejtpërdrejt një lidhje të rastësishme, dhe njerëzit që konsumojnë sasi të konsiderueshme të vajit të ullirit mund të kenë edhe zakone të tjera të shëndetshme përtej dietës mesdhetare. Megjithatë, duke pasur parasysh hulumtimet tjera të kryera në këtë fushë, sugjerohet fuqimisht se konsumimi i rregullt i vajit të ullirit është i dobishëm për shëndetin.