Vendimi për “IuteCredit”, Mehmeti: BQK e sigurtë në ligjshmërinë e vendimeve për këtë institucion

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka mbajtur një konferencë për media në lidhje me Arbitrazhin lidhur me mbylljen e institucionit mikrofinanciar “IuteCredit”.

Mehmeti u shpreh se ky institucion në vazhdimësi ka devijuar nga plani i biznesi.

“Republika e Kosovës ka fituar arbitrazhin ndërkombëtar ndaj institucionit mikrofinanciar “IuteCredit”, i cili është regjistruar 27 tetor 2017. Gjatë periudhës së operimit të “IuteCredit” në Kosovë ky institucion në vazhdimësi ka devijuar nga plani i biznesit”, u shpreh ai.

Ai gjithashtu tha se BQK mbetet e sigurtë në ligjshmërinë e vendimeve për këtë institucion.

“Ekzaminimet e BQK-së kishin evidentuar një varg shkeljesh të mëdha dhe se normat e interesit që kishte  aplikuar ky institucion ishin jashtë çdo standardi. Ky devijim ishte në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe me veprimtarinë e tij kishte rrezikuar aftësinë paguese të huamarrësve dhe me këtë ka paraqitur rrezik edhe për stabilitetin financiar në vend. Banka Qendrore e Kosovës mbetet e sigurtë në ligjshmërinë dhe proporcionalitetin e vendimeve në raport me këtë institucion”, u shpreh Mehmeti.