Vushtrria në finalen e barazhit

Vushtrria ka kaluar në finale të plejofit për inkuadrim në Superligën e Kosovës.

Vushtrriasit të shtunën në stadiumin “18 Qershori” triumfuan 5:3 pas ekzekutimit të penalltive, ndaj skuadrës së Lirisë së Prizrenit.

Penalltinë vendimtare për skuadrën e Vushtrrisë e shënoi Daut Maxhuni, ndërsa realizuan edhe Kujtim Pantina, Etrit Halimi, Leart Emini dhe Labinot Osmani.

Viktor Kuka i Lirisë nuk arriti të realizonte.

Koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan me rezultatin e barabartë, 1:1.

Të dyja golat u shënuan nga penalltia.

Liridon Fetahaj në minutën e pestë të kohës shtesë në pjesën e parë shënoi për epërsinë e Lirisë.

Rezultati u barazua në pjesën e dytë nga Labinot Osmani në minutën e 53-të. Osmani realizoi për mrekulli me “panenka” në ekzekutimin e penalltive.

Vushtrria do të jetë me sy kah Superliga e Kosovës në futboll, pasi të dielën do ta mësojë kundërshtarin e radhës.

Fituesi i atij ballafaqimi që luhet të shtunën e ardhshme në stadiumin “Zahir Pajaziti”, do të mbetet apo do të inkuadrohet në Superligën e Kosovës në edicionin e ardhshëm.