Xhaferi në takim me Geer: Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar në rrugën evropiane

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot ka pritur në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, David Geer.

Siç njoftojnë nga Qeveria, ambasadori Geer e uroi kryeministrin Xhaferi për emërimin e tij për Kryetar të Qeverisë, duke e theksuar mbështetjen e BE-së dhe Delegacionit në Shkup në vazhdimin e bashkëpunimit dhe mbështetjen e institucioneve në realizimin e agjendës evropiane të shtetit, me theks të veçantë në organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në mënyrë korrekte dhe demokratike.

“Kryeministri Xhaferi shprehu kënaqësi që takimi i tij i parë është me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare është pikërisht me ambasadorin e BE-së në Maqedoninë e Veriut, që paraqet shenjë të qartë për kahun e lëvizjes së Qeverisë në periudhën e ardhshme”.

“Kryeministri theksoi se zgjedhjet e ardhshme janë të një rëndësie të jashtëzakonshme për të ardhmen e vendit, sepse ato do të përcaktojnë rrjedhën e lëvizjes dhe progresit në periudhën e ardhshme. Kryeministri theksoi edhe se Qeveria do të vazhdojë me të njëjtën dinamikë, përkushtim dhe në kohë ti zbatojë të gjitha proceset dhe detyrimet që dalin nga negociatat e nisura të aderimit me Bashkimin Evropian në drejtim të integrimit të përshpejtuar evropian”.

“Në takim theks i veçantë u vu në përkushtimin e përbashkët të Brukselit dhe Shkupit në lëvizjen e mëtejshme të suksesshme të aktiviteteve që kanë të bëjnë me Planin e rritjes të Ballkanit Perëndimor, dhe më këtë kontekst, ambasadori Geer e përshëndeti qasjen e deritanishme konstruktive të Qeverisë”, thuhet në njoftim.

Duke e falënderuar ambasadorin Geer për mbështetjen parimore të Maqedonisë së Veriut nga BE-ja në procesin e realizimit të qëllimit strategjik të shtetit – anëtarësimit në BE, kryeministri Xhaferi theksoi se Qeveria do të vazhdojë me aktivitetet për përparimin e demokracisë dhe sundimit të së drejtës, si edhe luftës kundër korrupsionit dhe përforcimit të shtetit juridik.

Nga Qeveria thonë se në takim u këmbyen edhe opinione për çështjet aktuale të gjendjes së brendshme-politike në vend dhe zgjedhjet e ardhshme.