YouTube i bie pishman, merr vendim ndryshe nga çfarë kishte paralajmëruar

Shërbimi i njohur i transmetimit të videove, YouTube, ka vendosur të krijojë aplikacionin për pajisjen e re të Appleit, Vision Pro VR.

Tashmë ka më shumë se 600 aplikacione për pajisjen Apple Vision Pro VR, por YouTube nuk është një prej tyre. Muajin e kaluar, shërbimi i kompanisë Google theksoi në mënyrë eksplicite se nuk ka plane të zhvillojë një aplikacion të tillë.

Megjithatë, pas vetëm disa javësh, planet duket se kanë ndryshuar. YouTube tani ka bërë një kthesë 180 gradë dhe ka thënë për “The Verge” se aplikacioni i tyre për Vision Pro është në gatishmëri.

Kompania nuk ka treguar se kur mund të lansohet aplikacioni YouTube për Apple Vision Pro. Ndërkohë, YouTube thekson se mbështet Vision Pro duke u siguruar që përdoruesit të kenë një përvojë të shkëlqyer në shfletuesin Safari.

Nuk dihet pse YouTube ndryshoi rrënjësisht pozicionin. Është e mundur që Vision Pro doli të jetë dukshëm më i popullarizuar nga sa e kishin parashikuar fillimisht Google dhe YouTube.

Është gjithashtu e mundur që ky të lidhet me popullaritetin e aplikacionit të jashtëm YouTube që ekziston tashmë për Vision Pro dhe kushton vetëm pesë dollarë. Aktualisht renditet i treti në kategorinë e Photo dhe Video të App Store për shkarkimet e pajisjeve VR.