Zhbllokohet rruga Prizren – Prevallë

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës njofton se rruga rajonale Prizren – Prevallë është zhbllokuar, pas rrëshqitjeve të dheut gjatë ditës së djeshme.

Sipas ministrisë, ngasësit e automjeteve duhet të kenë kujdes nga ndonjë rënie eventuale e gurëve në këtë rrugë.

“Në rrugën Prizren – Prevallë, në kilometrin e gjashtë ku pati rrëshqitje të materialit erodues nga masivi shkëmbor në pjesën e sipërme të saj dhe për pasojë bllokimin e kësaj rruge që nga mbrëmë pas ores 18.00 e deri me tani është bërë zhbllokimi i këtij aksi rrugor dhe trafiku mund te zhvillohet sikurse më parë”, njofton Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës .

“Bazuar në konfiguracionin e terrenit ku shtrihet kjo rrugë, bëjmë thirrje tek të gjithë ngasësit e automjeteve që të kenë kujdes të shtuar në të gjithë gjatësinë e saj, pra nga Prizreni deri në Prevallë. Kujdes duhet të bëhet nga ndonjë rënie eventuale e gurëve”, përfundon njoftimi.