Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Gjermania mbështetje të vazhdueshme për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës, veçanërisht në Këshillin e Evropës.
Osmani ka pritur të hënën në takim drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, ku u diskutua për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, e fokus ishin zhvillimet rreth ngërçit politik.
“Presidentja Osmani konfirmoi gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim të thellë me Qeverinë e Kancelarit Merz. Më tej, Presidentja Osmani vlerësoi rolin jetik të Gjermanisë në mbrojtjen e vlerave demokratike, unitetit transatlantik dhe sigurisë evropiane. Presidentja Osmani nënvizoi se Gjermania ka qenë dhe mbetet shtyllë strategjike për Kosovën në ruajtjen e stabilitetit rajonal, si dhe avancimin e rrugës euroatlantike të Kosovës. Tutje, Presidentja kërkoi mbështetjen e vazhdueshme të Berlinit për integrimit e plotë ndërkombëtar të Kosovë e në veçanti në Këshillin e Evropës, duke njohur rolin e Gjermanisë në Këshill dhe rëndësinë e këtij procesi për forcimin e institucioneve demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Po ashtu në takim, Osmani ka theksuar domosdoshmërinë që Kosova të avancojë drejt anëtarësimit në NATO, ndërsa sa i përket dialogut Kosovë – Serbi, presidentja ka thënë se duhet qartësi strategjike dhe afate të përcaktuara e objektiva të qarta. Po ashtu tha se normalizimi nënkupton njohjen reciproke dhe respektimin e integritetit territorial e rendit kushtetues të Kosovës.
“Në takim, Presidentja theksoi gjithashtu domosdoshmërinë e avancimit të Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, duke elaboruar qartë kontributin që një e tillë do të kishte në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në rajon e Evropë. Në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Presidentja theksoi nevojën për qartësi strategjike, afate të përcaktuara dhe objektiva të qarta, duke theksuar se normalizimi nënkupton njohjen reciproke dhe respektimin e integritetit territorial e rendit kushtetues të Kosovës. Në takim Presidentja foli edhe për rëndësinë e largimit të plotë të masave të padrejta, duke theksuar që Gjermani mund të luaj rol të rëndësishëm në këtë drejtim”, ka njoftuar Presidenca.