Sunny Hill Festival

Temperaturat e larta, masat mbrojtëse për punëtorët të rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se e marta në Kosovë do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara.

IHK njofton se temperaturat minimale do të jenë nga 12 – 17°C, ndërkaq maksimalet nga 31 deri në 35°C.

IHK njofton se era do të fryjë nga veriperëndimi, 1–5 m/s.

Ndryshe, IHK ka paralajmëruar se kjo javë do të ndikohet nga masa të nxehta ajri afrikane, të shoqëruara me temperatura të larta dhe pa reshje shiu.

Kushtet e motit do të karakterizohen nga vapë e fortë, ndaj rekomandohet kujdes i shtuar nga rrezet e diellit, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore.

E për shkak të temperaturave të larta, Ministria e Shëndetësisë, duke u bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka rekomanduar që institucionet publike dhe private të zbatojnë masa mbrojtëse për punëtorët gjatë periudhës 11 – 15 gusht 2025, për shkak të temperaturave të larta.

Ministria thekson se “temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht tek grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta”.

Institucionet janë “ftuar të respektojnë këto rekomandime, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të punëtorëve dhe të grupeve të tjera të ndjeshme”. /Telegrafi/