Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), shpreh shqetësim të thellë për orientimin e investimeve të diasporës në Kosovë, ku mbi 9 miliardë euro janë investuar në blerjen e rreth 180 mijë banesave gjatë dy dekadave të fundit. AKB e quan këtë kapital “të vdekur” pasi nuk po sjell zhvillim ekonomik apo krijim të vendeve të punës.
“Këto mjete kolosale të investuara në pasuri të paluajtshme nuk po kontribuojnë në zhvillimin e vendit tonë, përkundrazi, ato janë kapital i bllokuar që nuk gjeneron të ardhura të reja për shtetin,” tha Agim Shahini, kryetar i AKB-së, shkruan Gazeta Stop.
Shahini theksoi se mungesa e strategjisë së qartë dhe stimujve shtetërorë për orientimin e remitancave në sektorët prodhues dhe shërbimorë e ka shtyrë diasporën të preferojë investimet në banesa.
“Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë hapa urgjentë për të hartuar politika dhe stimuj që do të inkurajojnë investimet në ekonomi aktive, në mënyrë që këto para të mos mbeten kapital i ngrirë, por të ndihmojnë në krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin afatgjatë ekonomik,” u shpreh Shahini.
Kryetari i AKB-së bëri thirrje edhe për një reflektim më të madh nga diaspora, duke theksuar rëndësinë e investimeve në biznese prodhuese, teknologji dhe shërbime që gjenerojnë punësim dhe perspektivë për të rinjtë e Kosovës.
Aleanca Kosovare e Bizneseve paralajmëron se pa një ndërhyrje të menjëhershme dhe politika më të mira, ekonomia e Kosovës do të vazhdojë të mbetet e varur nga ky kapital i paefektshëm, duke humbur mundësinë për rritje të qëndrueshme.