Kurti: Lëvizjen tonë s’e ndali as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, nëjehrit kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se përkundër bashkimit të të gjithë kundërshtarëve Lëvizja nuk u ndalë, duke shënuar fitore në shtatë komuna.

Kurti nëpërmjet një shkrimi një ditë pas zgjedhjeve lokale për raund të dytë, teksa falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe kontributin në demokraci, u kërkoi që tani ta bëjnë përgjegjës secilin kryetar për premtimet që ka dhënë.

“Të dashur qytetarë të Kosovës, ju falemnderit për pjesëmarrje në balotazhin e djeshëm të gjithë juve që e ushtruat të drejtën e votës. Treguat vullnet dhe pjekuri, i kontribuat demokracisë në Kosovë dhe orientimit të politikave publike në komunat tuaja. Mbajeni përgjegjës tani secilin kryetar për premtimet e dhëna dhe gjendjen në qytete e fshatra. Të dashur aktivistë të VETËVENDOSJE!-s, Tash do të qeverisim në shtatë komuna të Republikës, pra më shumë se kurdoherë më parë. Lëvizjen tonë s’e ndali dot as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve. Ju falemnderit çdonjërit për angazhimin. Na presin shumë punë e sfida, që do të thotë se para nesh ndodhen shumë suksese e fitore. Përzemërsisht, Albin Kurti”, ka shkruar Kurti.