Enver Hoxhaj kërkon të shtyhet konventa e PDK-së: T’i jepet kohë anëtarësisë e delegatëve të njihen me kandidaturat

Një nga figurat kryesore të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kërkuar zyrtarisht nga Kryesia e PDK-së që Konventa për zgjedhjen e kryetarit të partisë të shtyhet.

Hoxhaj thekson se një parti serioze nuk mund të mbajë një konventë politike dhe përmbajtësore në një kohë kaq të shkurtër, duke nënvizuar se shtyrja e saj deri të dielën e ardhshme do t’i mundësonte anëtarësisë dhe delegatëve të njihen më mirë me kandidaturat dhe platformat e tyre.

Ai ka theksuar se nguti në proces nuk garanton garë cilësore, reformim dhe unitet, ndërsa shton se një garë e hapur, me më shumë se një kandidaturë, është thelbësore për zhvillimin e partisë dhe pasurimin e platformave.

“Dorëheqja e kryetarit, e shoqëruar me preferenca për pasuesin, krijon përshtypjen e skemave të sajuara e të paragjykuara, të cilat nuk e çojnë partinë përpara”, ka deklaruar Hoxhaj.

Ai ka bërë të qartë se është kundër çdo imponimi dhe çdo formule që shpërfill bazën dhe delegatët, duke kërkuar një drejtim dhe vizion të ri për PDK-në, jo vetëm ndryshim rolesh.

PDK-ja, sipas Hoxhajt, ka nevojë për një proces zgjedhor të hapur, transparent dhe të drejtë, që garanton pjesëmarrjen e plotë të anëtarësisë dhe zhvillimin e një gare cilësore për drejtimin e ardhshëm të partisë.