Qeveria në detyrë mblidhet sot – në rend dite 14 pika

Qeveria e Republikës së Kosovës në detyrë do të mbajë sot mbledhjen e radhës, e cila, sipas njoftimit zyrtar për media, pritet të nisë në orën 12:00. Mbledhja do të zhvillohet në ambientet e Qeverisë dhe përfshin një agjendë prej 14 pikash, të cilat do të shqyrtohen nga kabineti ekzekutiv.

Sipas njoftimit, një nga çështjet kryesore të mbledhjes së sotme janë propozim-vendimet për disa shpronësime, të cilat kanë për qëllim krijimin e kushteve për realizimin e projekteve infrastrukturore dhe investimeve të tjera publike në vend.

Po ashtu, Qeveria në detyrë pritet të diskutojë dhe të shqyrtojë propozim-vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore në kategorinë e shpenzimeve “paga dhe shtesa” për muajin nëntor 2025 për Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ky vendim lidhet me sigurimin e mjeteve të nevojshme financiare për funksionimin e rregullt të strukturave të MPB-së dhe mbulimin e obligimeve buxhetore të saj.

Nga Qeveria nuk janë dhënë ende detaje shtesë për pikat e tjera të rendit të ditës, mirëpo pritet që gjatë mbledhjes të trajtohen edhe çështje të tjera që lidhen me funksionimin e rregullt institucional në periudhën e tranzicionit qeverisës.

GazetaStop.com do të raportojë për të gjitha zhvillimet dhe vendimet që do të dalin nga mbledhja e sotme e Qeverisë në detyrë.