Ndahen mbi 4 milionë euro për pagat e 700 punëtorëve të RTK-së, Kurti e quan improvizim të detyruar

Qeveria në detyrë e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për ndarjen e 4 milionë e 480 mijë euro për ekzekutimin e pagave për 700 punëtorët e RTK-së, të cilët tash e disa ditë janë në grevë.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se ky është ipmrovizim i detyruar.

“Siç e ka paralajmëruar këtë të hënën në konferencë ministri Hekuran Murati kemi shqyrtuar disa opsione për të dalë nga kjo situatë. Sot këto mjete po ndahen nga kategoria e kursimeve, kjo zgjidhje e sotshme apo më mirë të themi kjo mënyrë e tanishme është vetëm një improvizim i detyruar pas përpjekeve tona të vazhdueshme në Kuvendin e Kosovës për të miratuar aty buxhetin për RTK-në”, tha Kurti.

Kurse ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati bëri të ditur se këto mjete janë marrë si kursime nga projektet ekzistuese.

“Ndarja e 4 milionë e 480 mijë euro për RTK të cilat është dashur të kursehen ose merren si kursime nga projekte ekzistuese në kuadër të organizatave tjera buxhetore për shkak se në Kuvend u refuzua të krijohet Komisioni për Buxhet dhe të votohej buxheti për RTK. Në pamundësi që të sigurohen pagat e punëtorëve tash e sa kohë nga ana e Kuvendit si themelues i RTK-së na është dashur neve si Qeveri të marrim këtë hap improvizues që të gjendet një zgjidhje emergjente dhe të sigurohen pagat për transmetuesin publik”, tha Murati. /Telegrafi/