Ekonomisti Dardan Sejdiu ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për ndarjen e 100 eurove shtesë për fëmijët dhe të gjithë pensionistët, duke e cilësuar këtë vendim si mashtrim elektoral.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sejdiu ka shkruar se këto mjete nuk janë “dhuratë”, por para të qytetarëve që po u kthehen në formë karremi elektoral.
“Bankomati i Kurtit s’është ‘dhuratë’. Janë taksat tona që po na kthehen si karem e mashtrim elektoral”, ka shkruar ai.
Sejdiu ka theksuar se problemi nuk qëndron vetëm te mënyra e ndarjes së buxhetit, por te standardi i ulët që, sipas tij, është normalizuar në shoqëri.
“Nëse as kjo s’të bën përshtypje, problemi s’është buxheti. Është standardi i ulët që e kemi normalizu”, ka shtuar ai.
Reagimi i Sejdiut vjen në prag të zgjedhjeve, pas njoftimit të Kurtit për ndarjen e shtesave financiare për kategori të ndryshme shoqërore.