Xhavit Haliti

Kurti paralajmëron pagën e 13-të pas miratimit të buxhetit

Qeveria e re e Republikës së Kosovës, e përbërë nga tre zëvendëskryeministra dhe 19 ministri, ka mbajtur sot mbledhjen e saj të parë, pas miratimit që mori mbrëmë në Kuvendin e Kosovës.

Në këtë mbledhje inauguruese, kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se paga e 13-të për punëtorët e sektorit publik do të ekzekutohet sapo të miratohet buxheti për vitin 2026.

Po ashtu, Kurti ka njoftuar edhe për një tjetër vendim me rëndësi për të punësuarit në sektorin publik, duke theksuar se pagesa e përvojës së punës do të rritet nga 0.25 në 0.5 për qind, një ndryshim që synon të përmirësojë trajtimin financiar të punonjësve me përvojë.

E sot, po e riprocedojmë në Kuvend, edhe Projektligjin e Buxhetit për vitin 2026, të cilin e patëm miratuar në mbledhjen e 31 tetorit të vitit të kaluar. Duke mos dashur që t’i përsërisim të gjitha detajet e prezantuara në atë mbledhje, po ndalem vetëm në disa pika të shkurtra, të cilat e karakterizojnë këtë buxhet:

“Është buxhet me vlerë prej 4 miliardë euro, ku për komunat e Kosovës parashihen 867 milionë euro. E përmban edhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik, që paguhen nga buxheti, pagë, e cila do të paguhet sa po të hyjë në fuqi Ligji i Buxhetit. Përmban edhe ndryshimin e nevojshëm, që mundëson rritjen e shtesës për përvojën e punës nga 0.25 për qind, në 0.50 për qind për 15 vitet e para. Pra, dyfishim i shtesës, që reflekton përvojën e punës”, tha ai.

– Gjithashtu, buxheti parasheh edhe shtyrjen e afatit për zbatimin e shkallës progresive të tatimit në pronë, ashtu që ndërkohë ta miratojmë Ligjin e ri të Tatimit në Pronë në konsultim me komunat e vendit tonë

Kryeministri ka theksuar se këto masa janë pjesë e angazhimeve të Qeverisë së re për forcimin e mirëqenies së punëtorëve dhe përmirësimin e kushteve të punës në administratën publike.

Qeveria e re është votuar mbrëmjen e së martës në Kuvendin e Kosovës, duke i hapur rrugë fillimit të punës së plotë institucionale të ekzekutivit të ri.