Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, në të cilën ka miratuar një varg vendimesh me ndikim në ekonomi, siguri, infrastrukturë dhe mirëqenie sociale.
Një ndër vendimet kryesore është ndarja e 500 mijë eurove si shpërblim për futbollistët e përfaqësueses së Kosovës, pas suksesit të fundit sportiv. Po ashtu, Qeveria ka miratuar edhe vendimin për dhënien e pagës së 13-të për punonjësit që paguhen nga buxheti i shtetit, sipas kritereve të përcaktuara.
Në fushën e drejtësisë, është miratuar Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili synon të rregullojë procedurat për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.
Qeveria ka dhënë dritë jeshile edhe për disa projektligje të tjera të rëndësishme, përfshirë atë për Inspektoratin Qendror të Mjedisit, Ujërave, Natyrës dhe Ndërtimit, si dhe Projektligjin për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore. Gjithashtu, është miratuar Projektligji për Banim Social dhe të Përballueshëm, që synon të ofrojë zgjidhje për familjet dhe individët në nevojë.
Në aspektin e sigurisë, është miratuar kërkesa e Ministrisë së Mbrojtjes që t’i drejtohet Kuvendit për dërgimin e Forca e Sigurisë së Kosovës në një mision ndërkombëtar stabilizues në Gaza.
Ndër vendimet tjera, Qeveria ka miratuar raportin e vlerësimit të sistemit të financimit të komunave për vitin 2025, si dhe vendimin për shpronësim për interes publik për projektin e zgjerimit të rrugës nacionale N25 në segmentin QMI–Lipjan.
Po ashtu, është themeluar Komisioni i Ministrave për Ndërmarrjet Publike, ndërsa janë bërë ndryshime edhe në Këshillin për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe në Bordin Mbikëqyrës të ndërmarrjes publike Trepça, ku Shpëtim Dobra është emëruar kryesues.
Në këtë mbledhje është miratuar edhe Raporti Vjetor Financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025, si dhe vendime për rialokim të mjeteve në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.