Kur kanë mbetur edhe dy javë nga përfundimi i afatit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës për zgjedhjen e presidentit, ende nuk ka sinjale konkrete për ndonjë marrëveshje mes partive politike.
Kryeministri Albin Kurti është pyetur sot nga mediat nëse gjatë kësaj jave pritet të ketë takim lidhur me këtë çështje, por përgjigja e tij ishte e shkurtër.
“Jemi në konsultime me kryetarët e partive opozitare, kur të ketë rezultate atëherë ju njoftojmë”, deklaroi Kurti.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka nxjerrë aktgjykim me të cilin ka caktuar 28 prillin si afatin e fundit për zgjedhjen e presidentit.
Në rast se deri në këtë datë nuk arrihet zgjedhja e presidentit, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.