Në përputhje me autorizimet e marra nga Kuvendi i Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), i mbajtur më 31 janar, kryetari i partisë Lumir Abdixhiku ka marrë vendim për emërimin e Kryesisë së re, si pjesë e procesit të riorganizimit të brendshëm politik.
Sipas njoftimit zyrtar, kjo përbërje synon të reflektojë përvojën institucionale, energjinë e re dhe përfaqësimin e të gjitha niveleve të partisë, me qëllim forcimin e strukturave dhe rritjen e efikasitetit në vendimmarrje.
Në krye të Kryesisë është Lumir Abdixhiku, ndërsa anëtarët janë: Alban Zogaj, Alush Gashi, Anton Quni, Arbër Ismajli, Ardian Shala, Arjeta Salihu Abazi, Armend Zemaj, Avdullah Hoti, Berat Rukiqi, Besian Mustafa, Bexhet Xheladini, Doarsa Kica-Xhelili, Doruntinë Maloku, Ekrem Hyseni, Ermal Sadiku, Fadil Hadergjonaj, Festim Kabashi, Gazmend Muhaxheri, Hykmete Bajrami, Ilir Ferati, Izet Sadiku, Jehona Lushaku-Sadriu, Kujtim Shala, Lutfi Haziri, Paris Guri, Ruzhdi Shehu, Shefqet Shehu, Shkëmb Manaj, Sibel Halimi, Sokol Haliti, Sokol Havolli, Ukë Rugova, Visar Azemi dhe Xhafer Gashi.
LDK thekson se Kryesia e re do të ketë përgjegjësi të plotë për drejtimin politik dhe organizativ të partisë, në përputhje me programin dhe objektivat e saj.
Gjithashtu, bëhet e ditur se kjo përbërje është pjesë e një faze të ndërmjetme organizative, e cila parasheh konsolidimin e strukturave dhe fuqizimin e lidhjes ndërmjet qendrës dhe degëve. Në këtë periudhë kalimtare, përfaqësimi është ndërtuar mbi bazën e drejtuesve të degëve, ndërsa në vijim pritet plotësimi i Kryesisë edhe me përfaqësues nga degët e mëdha që aktualisht nuk janë të përfshira.
LDK mbetet e përkushtuar për forcimin e brendshëm dhe ndërtimin e një alternative serioze politike për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Po ashtu, Abdixhiku pritet që së shpejti të propozojë edhe Trupën Këshillëdhënëse, e cila do të përbëhet nga figura të njohura me përvojë institucionale dhe profesionale, si pjesë e mëtejshme e riorganizimit të partisë.

