Dardan Sejdiu: Kosova po shndërrohet në ‘Republikë të krizës së përhershme’

Ish-nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, ka kritikuar ashpër qeverisjen aktuale, duke e akuzuar për krijimin e një “krize të përhershme” politike që, sipas tij, po e largon vëmendjen nga problemet reale të qytetarëve dhe po pengon zhvillimin e vendit.

Përmes një postimi të gjatë në Facebook, Sejdiu ka thënë se Kosova po jeton në një gjendje të vazhdueshme tensioni politik, ku debatet, akuzat dhe fushatat e pandërprera po zëvendësojnë qeverisjen efektive dhe zgjidhjen e problemeve konkrete.

“Kosova është vend politikisht hiperaktiv. Televizionet plot debate, portalet plot politikë, zgjedhje, sondazhe, akuza e kundërakuza. Por zhurma nuk është jetë institucionale, aktiviteti online nuk është qeverisje dhe lëvizja nuk është drejtim”, ka shkruar Sejdiu.

Sipas tij, kriza në Kosovë nuk është më një situatë e përkohshme, por është shndërruar në një mënyrë qeverisjeje, ku qytetarët mbahen vazhdimisht të angazhuar emocionalisht me konflikte politike, ndërsa problemet e përditshme mbesin pa zgjidhje.

Sejdiu ka vlerësuar se pushteti populist nuk ka nevojë ta zgjidhë krizën, sepse kriza vetë është skena ku ai vepron politikisht.

“Sa herë që pyetja zhvendoset nga ‘çka po bëni?’ tek ‘kush e ka fajin?’, pushteti fiton kohë”, ka theksuar ai.

Në reagimin e tij, Sejdiu ka kritikuar mungesën e fokusit në çështje si shëndetësia, arsimi, ekonomia, transporti publik, çerdhet, inflacioni dhe mirëqenia e qytetarëve, duke thënë se qeveria po mat suksesin me sondazhe, duartrokitje dhe përplasje politike, e jo me rezultate konkrete.

Ai ka paralajmëruar se vazhdimi i kësaj qasjeje mund të ketë pasoja afatgjata për vendin, duke nxitur emigrimin e të rinjve dhe uljen e pritshmërive të qytetarëve ndaj institucioneve.

“Rreziku nuk është vetëm se pushteti dështon të qeverisë mirë. Rreziku është se po e ul standardin e asaj që shoqëria pret nga qeverisja”, ka shkruar Sejdiu.

Sipas tij, nëse Kosova vazhdon në të njëjtën rrugë, rrezikon të shndërrohet në një vend ku rinia largohet, familjet jetojnë mes Kosovës dhe diasporës, ndërsa politika mbetet e fokusuar në kriza dhe fushata të vazhdueshme.

“Kjo nuk është zhvillim. Kjo nuk është qeverisje. Kjo është administrim i zbrazjes”, përfundon postimi i Sejdiut.