Kurti: Zgjedhja e presidentit kërkon përgjegjësi përtej një partie politike

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjedhja e presidentit të Kosovës është përgjegjësi që i tejkalon kufijtë e një partie politike, duke theksuar se të gjitha subjektet parlamentare kanë obligim të kontribuojnë në formimin e institucioneve të reja.

Kurti e mirëpriti caktimin e 6 gushtit si datë për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, duke e cilësuar këtë si një hap drejt funksionalizimit të institucioneve.

“Partitë politike, secila sipas hises që populli i ka dhënë, gjendemi sërish para përgjegjësisë për përmbushjen e detyrave për formimin e institucioneve të reja, përfshirë zgjedhjen e presidentit ose presidentes”, tha ai.

Sipas Kurtit, pas konstituimit të Kuvendit duhet të vijojë zgjedhja e Qeverisë së re dhe më pas zgjedhja e presidentit ose presidentes.

Ai rikujtoi se, ndryshe nga formimi i Qeverisë, i cili kërkon shumicë të thjeshtë të deputetëve, zgjedhja e kreut të shtetit kërkon një mbështetje më të gjerë.

“Në dy raundet e para, për shkak të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, kërkohet prania e dy të tretave të deputetëve. Andaj edhe përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit ose presidentes e tejkalon një parti politike”, deklaroi Kurti.

Deklaratat e tij vijnë në prag të vazhdimit të procesit të konstituimit të Kuvendit, ndërsa skena politike mbetet e përqendruar te krijimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve.