Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca e kanë refuzuar pjesëmarrjen në takimin që ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, e ka ftuar për të martën, me liderë apo përfaqësues të subjekteve politike.
Takimi, sipas thirrjes së Haxhiut, është konsultativ dhe mbahet në lidhje me zhvillimet aktuale politike e institucionale dhe për rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për presidentin konsensual, e edhe për formimin e institucioneve të tjera.
Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë se ftesa përbën tentativë manipulimi për afatet dhe se subjekti politik që i përket nuk do të dërgojë përfaqësues në takim.
“Haxhiu më mirë do të ishte t’i kishte shkruar letër (kryesuesit të seancës konstituive, Avni) Deharit që ta thërrasë seancën. Çfarë logjike ka, si mund të ushtrosh mandate dhe të dërgosh letra, kur është dashtë që letrën e parë t’ia dërgojë Deharit. PDK-ja nuk do të jetë në atë takim, ne do të jemi në Kuvend”, ka thënë ai në një konferencë për shtyp.
Deputetë të PDK-së kanë zhvilluar disa aksione këtë jave, me të cilat është kërkuar vazhdimi i seancës konstituive që është ndërprerë me kërkesë të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me arsyetimin se paraprakisht duhet të arrihet marrëveshje për presidentin. Kërkesë të njëjtë me të PDK-së kanë bërë edhe ligjvënësit e Aleancës.
Po ashtu, edhe kryetari i kësaj partie, Ardian Gjini, e ka refuzuar kërkesën e Haxhiut për takim, e edhe të Kurtit, i cili po ashtu ka ftuar liderët e subjekteve politike për t’u takuar, me synimin që të gjejnë një kandidat apartiak e konsensual për president.
“Ju nuk jeni presidente e zgjedhur e Kosovës dhe nuk keni mandat të luani rolin e unifikueses së spektrit politik. Ju e Kurti jeni tepër të tejdukshëm se nuk po kërkoni takim për të gjetur zgjidhje. Po kërkoni takim të gjeni fajtorë për vendimin tuaj që veçse e keni marrë, për ta dërguar vendin në zgjedhje. Këtë herë edhe në kaos institucional”, ka shkruar Gjini në Facebook.
Gjini nuk i është përgjigjur pozitivisht Kurtit në asnjë ftesë.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike është partia e vetme që ka realizuar një numër takimesh me përfaqësues të Vetëvendosjes, për mundësinë e bashkëqeverisjes.