AKB në Paris: Shahini takon senatorët francezë

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, është takuar në Paris me senatorët francezë Thierry Meignen dhe Francis Szpiner, me të cilët ka diskutuar për forcimin e marrëdhënieve Kosovë–Francë dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik.

Sipas AKB-së, në takim është diskutuar për mundësitë e rritjes së investimeve franceze në Kosovë, bashkëpunimin ndërmjet bizneseve të dy vendeve dhe promovimin e potencialeve ekonomike të Kosovës.

Shahini tha se marrëdhëniet politike ndërmjet Kosovës dhe Francës duhet të shoqërohen edhe me bashkëpunim konkret në fushën e ekonomisë dhe me investime të qëndrueshme.

“Kosova ka nevojë për më shumë miq, por mbi të gjitha për partneritete konkrete. Investimet franceze në Kosovë do të ishin një sinjal i fuqishëm i besimit në ekonominë dhe të ardhmen e vendit tonë. Ne duhet të krijojmë ura të reja mes bizneseve kosovare dhe atyre franceze”, deklaroi Shahini.

AKB bëri të ditur se do të vazhdojë angazhimin për promovimin e bizneseve kosovare jashtë vendit, tërheqjen e investimeve të huaja dhe krijimin e partneriteteve me kompani franceze.

Takimet në Paris janë pjesë e përpjekjeve të komunitetit të biznesit për të rritur bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe vendeve të Bashkimit Evropian.