Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se synon të garojë në zgjedhjet e ardhshme të brendshme të partisë, duke lënë të hapur mundësinë që të kandidojë edhe për kryetare të LDK-së.
Duke folur në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Bajrami tha se nuk do ta pranonte të ishte kandidate e LDK-së për kryeministre nëse partia do të drejtohej nga një person tjetër.
“Nuk do të pranoja që të isha kandidate e LDK-së për kryeministre në qoftë se partinë do ta udhëhiqte dikush tjetër”, deklaroi Bajrami.
Ajo tha se zhvillimet aktuale politike nuk duhet të lidhen me procesin e ardhshëm zgjedhor brenda LDK-së, i cili, sipas saj, pritet të zhvillohet në shtator ose nëntor të vitit 2027.
Bajrami bëri të ditur se do të hyjë në garë nëse krijohen kushte për një proces të drejtë dhe të hapur.
“Në qoftë se nuk ka ndryshime pozitive, në situatën në të cilën jemi, nëse ka garë fer dhe të hapur unë do të jem njëra prej kandidateve”, tha ajo.
Deklarata e Bajramit e vendos atë ndër emrat që mund të përfshihen në garën e ardhshme për drejtimin e LDK-së, ndonëse procesi zgjedhor i brendshëm i partisë është ende larg.