AKB: Vendimi në Hagë mund të ndikojë në imazhin e Kosovës dhe klimën e investimeve

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësim për ndikimin që, sipas saj, mund të ketë në imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe klimën e investimeve vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se organizata respekton pavarësinë e drejtësisë dhe të drejtën e palëve për të përdorur mjetet juridike, përfshirë ankesën në apel, duke theksuar se vendimi është i shkallës së parë.

Megjithatë, AKB vlerëson se zhvillime të tilla mund të ndikojnë në perceptimin ndërkombëtar për stabilitetin politik dhe sigurinë juridike në Kosovë, faktorë që kanë rëndësi për investitorët e huaj.

Shahini kërkoi nga institucionet e Kosovës forcimin e stabilitetit institucional, rritjen e besimit të investitorëve, një diplomaci më aktive ekonomike dhe komunikim më të qartë me partnerët ndërkombëtarë për potencialin ekonomik të vendit.

“Bizneset nuk kanë kufij partiakë. Investimet nuk kanë ngjyrë politike. Punësimi nuk ka parti. E ardhmja ekonomike e Kosovës është interes i përbashkët kombëtar”, tha Shahini.

AKB theksoi se Kosova ka nevojë njëkohësisht për drejtësi, institucione funksionale, investime dhe vende të reja pune, duke bërë thirrje për përgjegjësi dhe unitet institucional në mënyrë që zhvillimet politike e juridike të mos ndikojnë negativisht në ekonomi.