Abdixhiku: Veriu po sulmohet nga bandat e Kurti po i sulmon aleatët

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Kosova po është nën sulm të vazhdueshëm nga bandat kriminale në veri, por që sipas tij, në sulm po është edhe kryeministri Albin Kurti ndaj aleatëve kryesorë të vendit.

Abdixhiku ka thënë se këto përmbysje aleancash nuk i ka dashur askush në Kosovë, e siç thotë ai, Kurti as nuk ka legjitimitet për ta bërë një gjë të tillë te një popull që është historikisht properëndimor.

“Sot nuk është javë e zakonshme. Që prej të premtes po përballemi me situatë të pamenduar. Kosova është nën sulm të vazhdueshëm nga bandat kriminale të Vuçiqit, e kryeministri në sulm fatkeq ndaj miqve tanë ndërkombëtarë. E kjo s’ka ngjarë asnjëherë. Sa herë që kemi qenë të sulmuar nga Serbia, kemi qenë të mbrojtur nga miqtë ndërkombëtarë, sepse kemi qenë të bashkërenduar me ta, kemi vepruar bashkë me ta sepse kemi ndarë të njëjtat vlera dhe të njëjtat interesa e të njëjtin vizion. Këto përmbysje aleancash, vizionesh e prioritetesh askush nuk i ka dashur në Kosovë. Për këtë, nuk ka votuar askush. Prandaj, nuk mund të flasim tjetër gjë, përveç se një aventure të rrezikshme personale të Kurtit që nuk ka legjitimitet politik e demokratik në Kosovë. Sepse shkatërrimi i aleancës me miqtë tanë as nuk ka përputhje me vullnetin politik të popullit të Kosovës, vullnet ky historikisht properëndimor dhe as nuk është në interes të popullit”, ka thënë Abdixhiku në konferencë për media të mërkurën.